Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Sarandës po vijon hetimet për atentatin e mbrëmjes së djeshme (17 korrik), ku u plagos Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sandër Rubati, 50 vjeç.
Dy persona me motor dhe të kamufluar me skafandra e ndoqën dhe qëlluan për ta vrarë, por Rubati mori 3 plumba dhe plagë kritike, teksa ndodhet në spital.
Pas hetimeve të para mësohen edhe disa detaje nga dinamika e ngjarjes. Autorët përdorën një armë pistoletë dhe kryen 9 qitje në drejtim të Rubatit, i cili u godit nga 3 predha në trup dhe këmbë.
Ai është ende në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, teksa u rekomandua dërgimi drejt Janinës. Autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja dhe Policia vijon kontrollet në qytet dhe jashtë tij me postblloqe.
Dyshohet se ata u larguan nëpërmjet detit me skaf, duke marrë edhe motorin dhe sendet e tjera, për të mos lënë gjurmë pas.
Për shkak të precedentëve të shumtë penalë brenda dhe jashtë vendit të Rubatit, Policia ka disa pista hetimi.
Edhe djali i tij Andrea Rubati, 27 vjeç, u shpall në kërkim një ditë para atentatit, së bashku me dy persona të tjerë, Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, të tre me precedentë penalë, si një nga tre autorët e dhunimit të një oficeri policie në Sarandë, pas një sherri.
Pista kryesore mbetet larja e hesapeve dhe hakmarrja për shkak të tyre.
Rubati kishte qenë i arrestuar dhe dënuar në Greqi dhe gjithashtu në Shqipëri, kryesisht për kontrabandë.


Më 2002 ai është arrestuar dhe akuzuar për trafik minorenësh, ndërsa ka qenë i dyshuar edhe për rrëmbimin më 2016 të një vajze po të mitur, 16 vjeçe. Vitet e fundit ka bërë një dënim edhe në Greqi, ku ka dalë nga burgu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje