Ngjarje

Atentati ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë, autorët e qëlluan me 9 plumba dhe u arratisën me skaf

Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Sarandës po vijon hetimet për atentatin e mbrëmjes së djeshme (17 korrik), ku u plagos Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sandër Rubati, 50 vjeç.

Dy persona me motor dhe të kamufluar me skafandra e ndoqën dhe qëlluan për ta vrarë, por Rubati mori 3 plumba dhe plagë kritike, teksa ndodhet në spital.

Pas hetimeve të para mësohen edhe disa detaje nga dinamika e ngjarjes. Autorët përdorën një armë pistoletë dhe kryen 9 qitje në drejtim të Rubatit, i cili u godit nga 3 predha në trup dhe këmbë.

Ai është ende në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, teksa u rekomandua dërgimi drejt Janinës. Autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja dhe Policia vijon kontrollet në qytet dhe jashtë tij me postblloqe.

Dyshohet se ata u larguan nëpërmjet detit me skaf, duke marrë edhe motorin dhe sendet e tjera, për të mos lënë gjurmë pas.

Për shkak të precedentëve të shumtë penalë brenda dhe jashtë vendit të Rubatit, Policia ka disa pista hetimi.

Edhe djali i tij Andrea Rubati, 27 vjeç, u shpall në kërkim një ditë para atentatit, së bashku me dy persona të tjerë, Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, të tre me precedentë penalë, si një nga tre autorët e dhunimit të një oficeri policie në Sarandë, pas një sherri.

Pista kryesore mbetet larja e hesapeve dhe hakmarrja për shkak të tyre.

Rubati kishte qenë i arrestuar dhe dënuar në Greqi dhe gjithashtu në Shqipëri, kryesisht për kontrabandë.

Pamje nga vendngjarja
Pamje nga vendngjarja
Thimjo Rubati atentati vendngjarja (7)

Më 2002 ai është arrestuar dhe akuzuar për trafik minorenësh, ndërsa ka qenë i dyshuar edhe për rrëmbimin më 2016 të një vajze po të mitur, 16 vjeçe. Vitet e fundit ka bërë një dënim edhe në Greqi, ku ka dalë nga burgu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë