Gazeta Si – Shqipëria ka regjistruar nivelin më të ulët historik të vrasjeve me dashje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Kështu deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, teksa publikoi të dhënat paraprake të raportit mbi kriminalitetin, duke e cilësuar këtë si rezultat të reformave të ndërmarra në sektorin e sigurisë dhe punës së Policisë së Shtetit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Lamallari publikoi grafikun krahasues të vrasjeve me dashje për periudhën 2005–2026, duke theksuar se vendi ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të parametrave të rendit dhe sigurisë.
Sipas tij, nga një mesatare prej 49 vrasjesh me dashje në vit gjatë dekadës 2005–2014, numri ka rënë në një mesatare prej 23.4 rastesh në dekadën e fundit, ndërsa për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 janë regjistruar vetëm 18 raste, niveli më i ulët historik.
“Kurrsesi që kjo nuk është rastësi, por rezultat i reformave të qeverisë shqiptare, përfshi mbështetjen dhe rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, investimeve që ne kemi bërë dhe vendosmërisë për të mos u zmbrapsur në luftën me kriminalitetin”, u shpreh ministri.
Lamallari u ndal edhe te projekti “Smart City”, duke theksuar se Qendra e re e Komandimit dhe Kontrollit, e inauguruar një ditë më parë, do të shënojë një etapë të re në menaxhimin e sigurisë publike.
Sipas tij, sistemi do të integrojë inteligjencën artificiale, kamera inteligjente dhe sensorë të avancuar për zbulimin e të shtënave me armë zjarri, me qëllim rritjen e kapaciteteve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale.
“Përmes teknologjisë, inovacionit dhe forcimit të institucioneve të zbatimit të ligjit, po krijojmë standarde sigurie të denja për një vend anëtar të familjes europiane, sikundër Shqipëria do të jetë brenda vitit 2030”, përfundoi ministri i Punëve të Brendshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje