Nga Gazeta ‘Si’-Një debat i fortë është zhvilluar në Kuvend mes deputetit të opozitës Erald Kapri dhe deputetit të mazhorancës Ardit Bido, ku në fokus ishin qëndrimet ndaj Kosovës, marrëdhëniet me Serbinë, protestat dhe legjitimiteti i qeverisë.
Kapri akuzoi kryeministrin Edi Rama për qëndrime të gabuara ndaj Kosovës dhe për afrimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
“Rama ka qenë kryeministri i vetëm pas Enver Hoxhës që ka vizituar Beogradin dhe, ashtu si Enver Hoxha, ka heshtur për Kosovën. Rama ka thënë për veriun se është tokë e askujt. Ramush Haradinaj ka deklaruar publikisht se Rama i ka kërkuar ndarjen e Kosovës”, u shpreh Kapri në Kuvend.
Sipas tij, deklaratat dhe qëndrimet e qeverisë shqiptare kanë krijuar hapësirë që zyrtarë serbë të sulmojnë shqiptarët e Kosovës.
“Ku e gjen guximin ministrja serbe që fyen rëndë shqiptarët e Kosovës, sepse gjen në Tiranë një aleat që hesht”, deklaroi deputeti.
Kapri kritikoi edhe situatën në Kuvend, duke e cilësuar të papranueshme praninë e madhe të forcave të policisë gjatë zhvillimit të punimeve.
“Ky Kuvend po zhvillon punimet nën rrethim, me qindra forca policie, sikur të jemi në gjendje të jashtëzakonshme. Ky Parlament e ka humbur tërësisht legjitimitetin”, tha ai.
Kapri ngriti gjithashtu çështjen e ligjit për zonat e mbrojtura, duke thënë se shfuqizimi i tij është një kusht për integrimin europian, ndërsa Rama e ka cilësuar atë si një nga ligjet më të mira.
“Dje u bë e e njohur se shfuqizimi i ligjit që u bë me porosi me 10 deputetë, 21/2024 është kusht për integrimin, ndërsa Rama tha se është ligji më i mirë ndonjëherë. Në krye të qeverisë kemi një kryeministër antikombëtar që flirton me Vuçiç sikur e ka shok banke. Në Hungari po zhvillohet një protestë për zonat e mbrojtura sepse protesta po shihet me kërshëri, ndryshe nga autokrati i fundit që do të ketë fatin e të gjithë të tjerëve”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Ardit Bido kundërshtoi akuzat e Kaprit, duke i cilësuar ato si populizëm.
“Më vjen keq që po dëgjojmë populizmin që ka sjellë vetëm gjak në histori. Enver Hoxha kur shkoi në Beograd nuk foli për Kosovën, por foli për konfederatën Ballkanike”, tha Bido.
Ai deklaroi se Shqipëria ka kërkuar njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe kritikoi opozitën për qëndrimet e saj.
“Shqipëria ka kërkuar përmes kryeministrit Rama që Kosova e pavarur të njihet si e pavarur. Dëgjuam përfaqësuesin e një Lëvizjeje që është në kufijtë e antikombëtares, sepse janë me orë vonesë, kur vjen puna për spastrimin etnik në Çamëri partizat e vogla munguan në sallë dhe zgjodhën që në ditën që dënohej gjenocidi të fshiheshin si struci. Fisi i një kolegu këtu votonte masivisht Fredi Belerin”, tha Bido.
Përplasja vijoi edhe pas fjalës së Bidos, ku Kapri reagoi ndaj akuzave se protesta kundër qeverisë lidhet me mbështetës të Fredi Belerit.
“Deputeti parafolës ka fyer protestën kur tha se drejtohet nga njerëz të Fredi Belerit, por nuk reagon kur Fredi Beleri del në foto me deputeten socialiste në Strasburg”, tha Kapri.
Ai kritikoi gjithashtu gjuhën e përdorur në Kuvend nga deputetët e rinj.
“Kam ndjekur gjatë politikën, por nuk kam parë nga Ruçi që Partia Socialiste të na shtypte. Nuk e kuptoj sesi një i ri mund të flasë me gjuhë urrejtjeje. Njerëz me thinja mbajnë gojën, ndërsa rioshët lëshohen sikur kushedi nga kanë dalë”, përfundoi Kapri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje