Gazeta Si – Tre zyrtare të filialit të Postës Shqiptare në Durrës janë arrestuar, pasi dyshohet se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj, shumë kjo, e cila ishte planifikuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për Shijakun dhe Krujën.
Bëhet fjalë për: Elisabeta Mataj, 41 vjeçe, drejtoresha e Postës në Durrës dhe 2 vartëset e saj, Valbona Doni, 59 vjeçe, si shefe e Financës dhe Paola Dana, 39 vjeçe si arkëtare.
Sipas hetimeve, gjatë muajve prill dhe maj 2026, tre të arresturit nuk kanë arkëtuar në arkën e degëve Shijak dhe Krujë shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, e cila ishte planifikuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave, duke e përvetësuar atë.
Ato akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Policia thotë se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë, që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari korruptive.
Çështja është ende nën hetim pasi dyshohet se dëmi ekonomik i shkaktuar arrin deri në 3 milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje