Ne rrjet

Protesta në Puglia kundër ‘resortit të Bill Gates’: rreziqet mjedisore të projektit ultra-luksoz

Projekti u njoftua në vitin 2021 nga rrjeti "Four Seasons", ku sipërmarrësi është aksionari kryesor. Tani, i është drejtuar një kërkesë qeverisë për të revokuar lejen e ndërtimit të kompleksit në zonën e Ostunit

Gazeta Si – Një destinacion ekskluziv bregdetar me 150 dhoma dhe suita, gati për të mirëpritur mysafirët që kërkojnë një pushim larg turmave, por pranë ujërave kristalore dhe vendeve me rëndësi historike dhe kulturore.

Shtojini kësaj restorantet, baret, pishinat, një klub plazhi, hapësirat për evente dhe një spa, dhe në letër, projekti duket i destinuar për sukses.

Në të vërtetë, gjithçka duket se është gati për të filluar ndërtimi i resortit të ri “Four Seasons” në Puglia, pranë Ostunit, Itali.

Megjithatë, banorët vendas e shohin projektin si një kërcënim për mjedisin dhe për integritetin arkeologjik dhe natyror të vendit.

Fushata e ambientalistëve është bërë aq e zhurmshme, saqë ka bërë bujë edhe në revistën britanike, “The Times”.

Kjo, pjesërisht për shkak të nofkës që ka marrë kompleksi i ri luksoz, duke i sjellë vëmendje ndërkombëtare: ai njihet edhe si “Resorti Bill Gates”, filantropistit, miliarderit amerikan dhe thehemeluesit të Microsoft-it.

Parcela prej 9 hektarësh u ble në fund të vitit 2020 për të krijuar një vendpushim luksoz. Bill Gates është aksionar shumice në “Four Seasons”, i cili po bashkëpunon me firmën izraelite, “Omnam Investment Group”.

Projekti u njoftua në vitin 2021, duke shkaktuar menjëherë një valë kritikash të udhëhequra nga ambientalistët dhe të mbështetura nga vlerësime negative nga autoritetet rajonale dhe agjencia e mbikëqyrjes së trashëgimisë.

Departamenti për Trashëgiminë Kulturore dhe Peizazhin kishte paralajmëruar për rrezikun e “ndryshimit të pakthyeshëm” të peizazhit.

Zgjidhja që lejoi që projekti të vazhdonte ishte përcaktimi i zonës si Zonë Ekonomike Speciale – një procedurë e efektshme për krijimin e zonave të reja industriale. Grupe të ndryshme, përfshirë “Komitetin e Pavarur për Ruajtjen e Habitatit Bregdetar të Ostunit”, paraqitën një padi në Gjykatën Administrative Rajonale (TAR).

“Është e papranueshme që një korporatë shumëkombëshe të vijë në këtë vend dhe të bëjë çfarë të dojë, duke shkatërruar mjedisin tonë natyror”, deklaroi Angelo Bonelli, kreu i partisë Evropa e Gjelbër, në një dëgjesë parlamentare, duke kërkuar revokimin e autorizimit.

Qeveria italiane ka sqaruar se ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Protestat në zonën e Ostunit janë duke vazhduar; thirrja e tubimit është: “Duart larg bregut”.

Shqetësimet janë të shumta, duke filluar nga ndotja nga drita dhe kërcënimet ndaj florës dhe faunës lokale, deri te konsumi i ujit.

“Zbatimi i këtij projekti do të rezultonte në një ndryshim të pakthyeshëm në karakterin morfologjik dhe funksional të sistemit bregdetar rural në zonën e Ostunit, duke kompromentuar rëndë peizazhin dhe integritetin mjedisor të bregdetit”, shtoi Bonelli.

Beteja mjedisore në Puglia po tërheq vëmendjen pikërisht, sepse bie ndesh me retorikën që zakonisht rrethon marrëveshjet e biznesit të Bill Gates.

Përmes fondacionit të tij dhe shumë kompanive që ka blerë, ai ka kohë që ndjek projekte për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të zbuluar burime të reja të energjisë së pastër.

Si pasojë, nofka kontraverse “resorti i Bill Gates”, shërben vetëm për të rritur profilin e projektit. Sipërmarrësi vuri bast në një rimëkëmbje të turizmit luksoz pas pandemisë duke blerë gjysmën e aksioneve të miliarderit saudit, Alwaleed bin Talal në “Four Seasons” përmes “Cascade Investment”, firmës që menaxhon asetet e tij – një marrëveshje me vlerë mbi 2 miliardë dollarë.

Pjesa e tij – me investime fillestare që datojnë që nga viti 1997 – është rritur në 71.25 përqind; sot, themeluesi i Microsoft, kontrollon në mënyrë efektive zinxhirin e hoteleve me 5 yje.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë