Politike

Rama: Serbia duhet ta pranojë ekzistencën e Kosovës

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për bllokimin e dialogut me Kosovën, pasi, sipas tij, ende nuk është e gatshme ta pranojë realitetin e krijuar me pavarësinë e Kosovës.

Rama tha se problemi themelor në raportet ndërmjet dy vendeve është refuzimi i Beogradit për të pranuar ndryshimin e realitetit.

“Serbia është më përgjegjësja për situatën në dialog, sepse nuk është e gatshme ta pranojë realitetin, ndërsa realiteti ka ndryshuar. Nuk ekziston më diçka që quhet ‘Kosova dhe Metohia’; ekziston Republika e Kosovës”, u shpreh ai.

I pyetur për faktin se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Rama tha se kjo nuk e ndryshon realitetin ndërkombëtar.

“Pesë nga 27 janë ende pak. Kjo tregon se shumica dërrmuese e vendeve e kanë pranuar realitetin. Nuk bëhet fjalë për dobësi, por për pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, ashtu si popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë fituan pavarësinë, edhe shqiptarët kishin të drejtën e vetëvendosjes, duke shtuar se ky proces duhet të shoqërohet me respektimin e të drejtave të pakicave dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike.

Në intervistën për Euronews Serbia, Rama u pyet edhe për qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me Marrëveshjen e Brukselit dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ai refuzoi të komentojë.

“Unë kam një rregull që e respektoj gjithmonë. Nuk flas kurrë për opozitën time në një gjuhë të huaj. Mos më kërkoni të them në një gjuhë të huaj gjëra që kanë të bëjnë me Albin Kurtin dhe me vëllezërit e motrat e mia në Kosovë”, tha Rama.

Në fund, kryeministri shqiptar theksoi se Serbia, si shteti më i madh në rajon, duhet të përballet me realitetin e ri politik.

“Sa më shpejt që Serbia ta pranojë se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë”, përfundoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë