Politike

Koncerti i Kanye West, Berisha: Rama dha 4 mln € nga fondi i emergjencave për lobingjet e tij

Gazeta Si – Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka kryer një “krim anti-kushtetues” duke dhënë para nga fondi i emergjencave për organizimin shtetëror të koncertit të reperit amerikan Kanye West, që zhvillohet sonte në Kashar.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, kreu i PD, tha se qeveria alokoi 4 mln euro për mbarëvajtjen e koncertit vetëm për lobingje të tij.

“Në mënyrë të papritur, antikushtetuese, absolutisht antikushtetuese, Edi Rama merr nga fondi rezervë i qeverisë, krijimi i të cilit bazohet në nene të qarta të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe ky fond që i është besuar atij për ta përdorur për emergjencë, urgjenca dhe raste tepër të veçantë, këtë fond Edi Rama e ndan me Kanye West, një këngëtar i mirënjohur, vetëm e vetëm për lobingje të tij. Ky është një krim antikushtetues”, – tha Berisha

Sipas tij, “në asnjë rrethanë dhe asnjë rast, një koncerti privat nuk mund t’i jepeshin paratë e emergjencave të një vendi apo paratë e rezervës së Këshillit të Ministrave. Këtë e bën vetëm ai që nuk pyet për Kushtetutë. Vetëm ai që nuk ka asnjë interes të shtetit ligjor apo interes kombëtar. Ka vetëm interesa personale. Me një grusht servilësh të inkriminuar ministra, të cilët nuk duhet të pranonin kurrë të bëheshin bashkëautorë në këtë krim”, – u shpreh kreu i PD.

Sipas Berishës, kjo pagesë është njoftim për shqiptarët dhe protestuesit.

“Ftoj qytetarët të bashkohen në një protestë të fuqishme tërësisht ndaj akteve të përsëritura të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Pagesa 4 mln për Kanye West është një injorim i tmerrshëm për shqiptarët dhe ata qindra mijëra qytetarë që janë në protestë kundër tij. Kjo është dëshmi se si Rama taksat e shqiptarëve i konsideron si para të portofolit apo llogarive të tij. Qeveria shqiptare do i paguajë kompanisë 10 mln euro bileta të munguara që do ndahen mes Edi Ramës dhe sojës së tij”, shtoi Berisha.

Ai deklaroi më pas se Shqipëria ka qenë sërish në qendër të vëmendjes së mediave evropiane dhe ndërkombëtare, duke iu referuar protestave të fundit qytetare.

Në komunikim me ndjekësit, ai tha se “kryengritja e fuqishme paqësore rinore dhe qytetare”, e cila vijon prej mbi 40 ditësh, ka marrë mbështetje të gjerë jashtë vendit.

Lideri demokrat sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se ai po humbet gjithnjë e më shumë mbështetjen dhe po kritikohet ndërkombëtarisht për qeverisjen e tij.

“Edi Rama damkoset çdo ditë e më shumë si një narkodiktator për të cilin ligjet dhe Kushtetuta e vendit janë një letër e vdekur”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për korrupsion dhe lidhje me krimin, duke iu referuar një dokumenti që e quajti “Libri i Kuq i Edi Ramës”, për të cilin tha se përmban 750 faqe me akuza për 523 vepra kriminale.

Berisha pretendoi se vendi po trajtohet si “çiflig familjar” dhe akuzoi Ramën se ka vendosur interesat personale mbi institucionet, ligjin, pronën dhe mjedisin.

“Këtë javë përsëri Shqipëria ishte në krye të lajmeve në Evropë dhe në botë. Kryengritja e fuqishme paqësore rinore qytetare, që kaloi 41 ditë me pjesëmarrjen më të madhe që nga vitet ’90 në historinë e vendit, ka fituar mbështetje dhe simpati të madhe ndërkombëtare”.

Kryedemokrati u shpreh se Samiti i NATO-s, i cili u mbajt në Ankara, ishte një prej samiteve më të suksesshme në historinë e Aleancës, por rezervat i kishte për kundërshtarin e tij politik, Edi Ramën, i cili sipas tij, nuk e përfaqësoi në mënyrë të duhur Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë