Nga Gazeta ‘Si’- Pas fasadës së unitetit të shfaqur në Samitin e NATO-s në Ankara, në kryeqytetet europiane po zhvillohet një debat që deri pak kohë më parë do të ishte konsideruar i paimagjinueshëm: si do të mbrohej Europa nëse Shtetet e Bashkuara do të reduktonin ndjeshëm ose do t’i jepnin fund rolit të tyre tradicional në Aleancë?
Kjo është pyetja që ngre një analizë e Financial Times, sipas së cilës rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka detyruar qeveritë europiane të rishikojnë mënyrën se si konceptojnë sigurinë e kontinentit.
Sipas gazetës, gjatë 12 muajve të fundit shumë vende europiane kanë humbur besimin se administrata Trump do të ishte e gatshme të vinte automatikisht në mbrojtje të aleatëve të NATO-s në rast krize. Kjo ka bërë që në qarqet politike dhe ushtarake të diskutohen skenarë që deri vonë konsideroheshin tabu.
Analiza thekson se Europa ende nuk është gati të zëvendësojë kapacitetet ushtarake amerikane, por procesi i “europianizimit” të NATO-s tashmë ka nisur.
Sipas zyrtarëve të cituar nga Financial Times, nuk bëhet fjalë vetëm për më shumë shpenzime ushtarake, por edhe për një mënyrë të re organizimi të mbrojtjes, me më shumë përgjegjësi politike dhe ushtarake nga vetë vendet evropiane.
Në këtë kontekst, samiti i Ankarasë ishte një moment kyç. Vendet europiane dhe Kanadaja kanë rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe po përpiqen t’i tregojnë Trump-it se janë të gatshme të marrin një pjesë më të madhe të barrës financiare dhe ushtarake të Aleancës.
Megjithatë, sipas analizës, sfida nuk kufizohet vetëm te buxhetet. Europa duhet të ndërtojë kapacitete të reja në inteligjencë, mbikëqyrje, mbrojtje ajrore, logjistikë dhe komandim operacional, fusha ku prej dekadash është mbështetur kryesisht te Shtetet e Bashkuara.
Një tjetër mësim që po nxjerr NATO nga lufta në Ukrainë lidhet me transformimin e mënyrës së luftimit. Financial Times vëren se dronët me kosto të ulët, inteligjenca artificiale, sistemet autonome dhe prodhimi masiv i armëve po ndryshojnë doktrinën tradicionale ushtarake.
Sipas zyrtarëve të Aleancës, Ukraina është shndërruar në laboratorin më të madh të inovacionit ushtarak në Europë, ndërsa përvoja e saj po përdoret për të hartuar strategjitë e ardhshme të NATO-s.
Analiza thekson gjithashtu se edhe nëse SHBA mbetet pjesë e NATO-s, Europa duhet të përgatitet për një rol shumë më të madh në mbrojtjen e kontinentit.
Kjo nënkupton jo vetëm rritje të shpenzimeve, por edhe një organizim më të integruar të industrisë së mbrojtjes, prodhim më të shpejtë armësh dhe një komandë ushtarake më të fortë evropiane.
Sipas Financial Times, sfida më e madhe nuk është më vetëm Rusia, por aftësia e Europës për të garantuar sigurinë e saj në një botë ku mbështetja amerikane nuk konsiderohet më e pakushtëzuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje