Treg

Pse birra pa alkool është më popullore se ajo me alkool në Gjermani!

Po ndodh një përmbysje e trendit, me një kthesë paradoksale, pikërisht në vendin që e përcjell legjendën e Mbretit Gambrinus si shpikësin mitik të kësaj pijeje. "Fajtorët" janë brezi Z dhe shqetësimet për shëndetin

Gazeta Si – Në vitin 2025, prodhimi i birrës jo-alkoolike në Gjermani u rrit me 6.5%, duke arritur pak mbi 616 milionë litra, ndërsa prodhimi i versionit alkoolik, ra me 5.8%, duke shkuar në rreth 6.8 miliardë litra.

Këto shifra vijnë nga të dhënat e publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (Destatis). Përqindjet sinjalizojnë një ndryshim në trendet në të njëjtin vend që mbështet legjendën e Mbretit Gambrinus si shpikësi mitik i pijes ngjyrë bionde. Por kush është në “bankën e të akuzuarve”? Gjenerata Z dhe inflacioni.

Pavarësisht hovit që ka marrë birra pa alkool, sektori i birrës tradicionale mbetet padyshim segmenti më i rëndësishëm për fabrikat gjermane të birrës.

Në fakt, vlera e prodhimit të birrës me alkool arriti në rreth 6,4 miliardë euro vitin e kaluar, krahasuar me afro 696 milionë euro për variantin pa alkool.

Kjo ndodh në një kohë kur konsumi i birrës në vend ka prekur nivelin më të ulët të 30 viteve të fundit, duke ngritur pyetje nëse gjermanët po ndryshojnë zakonet e tyre – të nxitur nga brezat e rinj dhe… nga portofolët e tyre.

Në fakt, për herë të parë në më shumë se 30 vjet, Gjermania regjistroi shitje birre prej më pak se tetë miliardë litrash në vitin 2025 – një shenjë e një rënieje të konsumit.

Të dhënat e publikuara nga Zyra Federale e Statistikave, tregojnë se 7.8 miliardë litra u shitën në vitin 2025, një rënie prej 6% krahasuar me vitin 2024.

Për më tepër, nivelet nuk kishin qenë kurrë kaq të ulëta që nga viti 1993, kur filloi ndjekja aktuale statistikore. Kjo rënie barazohet me afërsisht një miliard shishe, ose 12 shishe më pak në vit për çdo gjerman.

Ndryshimi në preferencat gjermane, duket se po jep rezultate pozitive për sistemin lokal të kujdesit shëndetësor.

Në vitin 2023, pranimet në spital për dehje akute nga alkooli ranë në 62,300 – shifra më e ulët që nga viti 2001.

Në krahasim, 116,500 njerëz u shtruan në spital për këtë arsye në vitin 2013, duke përfaqësuar një ulje prej 46.5%.

Ky trend është edhe më i theksuar tek të miturit. Ndërsa opsionet jo-alkoolike po lulëzojnë në pikat kryesore të shitjes me pakicë, numri i bareve dhe fabrikave të birrës në zonat rurale është në rënie; mbylljet pothuajse gjithmonë lidhen me mungesën e stafit dhe rritjen e kostove.

Nga ana e tyre, birrat joalkoolike dhe pijet e përziera përbënin mbi 10% të të ardhurave nga shitjet me pakicë në vitin 2025.

Shoqata Gjermane e Birrarive, raporton një pjesë tregu prej 9.5%, duke i vendosur ato në vendin e tretë midis kategorive më të shitura.

Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, të ardhurat nga produktet jo-alkoolike u rritën me 18%. “Birrat joalkoolike përfaqësojnë segmentin me rritjen më të shpejtë”, konfirmon Christian Weber, presidenti i Shoqatës.

Prodhimi është më shumë se dyfishuar gjatë njëzet viteve të fundit. Me mbi 800 lloje jo-alkoolike në dispozicion, Gjermania është vendosur si tregu kryesor europian në këtë sektor.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë