Politike

Rama sqaron financimin e koncertit të Kanye West: Nuk kemi dhënë 50 mln euro

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me akuzat dhe kritikat e bëra për koncertin e artistit amerikan Kanye West në Tiranë, duke mohuar pretendimet se shteti ka financuar eventin me 50 milionë euro.

Në një deklaratë të gjatë, Rama i cilësoi këto pretendime si “gënjeshtër” dhe tha se koncerti do të financohej nga sponsorët dhe të ardhurat nga shitja e biletave.

Sipas tij, qeveria fillimisht kishte firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritëse, ku garantonte sigurinë dhe mbështetjen logjistike, pa marrë përsipër angazhime financiare.

“Ne kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar përveç mikpritjes siguri dhe mbështetje logjistike, duke theksuar se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar”, tha Rama.

Ai bëri të ditur se, për të shmangur anulimin e koncertit, është ndërhyrë me 4 milionë euro, duke e argumentuar si një masë për të mos dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe përfitimet ekonomike që sjell një event ndërkombëtar i këtij niveli.

“Shuma që dhamë për një aktivitet, pra 4 dhe jo 50 milionë euro, i organizuar krejtësisht privatisht, do t’i kthejë ekonomisë së kryeqytetit shumëfishin e kësaj shume”, u shpreh ai.

Rama tha se koncerti do të sjellë sipas tij mijëra vizitorë të huaj dhe promovim ndërkombëtar për Shqipërinë, duke e krahasuar ndikimin e tij me ngjarje të tjera të mëdha ndërkombëtare të zhvilluara në vend.

Në reagimin e tij, ai kritikoi personat që kanë shpërndarë akuza në rrjetet sociale, duke i akuzuar për shpifje dhe manipulim të opinionit publik.

Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimet se zona ku do të mbahet koncerti ishte një hapësirë e gjelbër e dëmtuar, duke thënë se bëhej fjalë sipas tij për një fushë me shkurre dhe ferrishte, të zgjedhur nga organizatorët për shkak të kapacitetit të nevojshëm për një event me rreth 60 mijë spektatorë.

Në fund të reagimit, Rama tha se respekton qytetarët që kanë shqetësime reale, por kritikoi përdorimin e informacionit të pavërtetë.

“Problemi nuk është ushtrimi i lirisë së protestës. Problemi është kur protesta ushqehet me shpifje, me dezinformim dhe me manipulim”, deklaroi kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë