Politike

Rama niset drejt Ankarasë për Samitin e NATO-s

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama udhëton këtë të martë drejt Ankarasë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, i cili zhvillohet më 7 dhe 8 korrik dhe mbledh liderët e 32 vendeve anëtare të Aleancës.

Samiti pritet të dominohet nga diskutimet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, forcimin e industrisë ushtarake dhe mbështetjen për Ukrainën, në një kohë kur administrata e presidentit amerikan Donald Trump po kërkon një angazhim më të madh financiar nga aleatët evropianë.

Përpara mbërritjes së liderëve, NATO organizon edhe një forum të industrisë së mbrojtjes, ku pritet të shpallen kontrata të reja ushtarake me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, si pjesë e përpjekjeve për të rritur kapacitetet prodhuese të Aleancës.

Në qendër të samitit do të jetë edhe objektivi për rritjen e investimeve në mbrojtje. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka kërkuar vendeve anëtare të paraqesin “plane të qarta, konkrete dhe të besueshme” për përmbushjen e objektivave të reja të shpenzimeve ushtarake.

Për Shqipërinë, samiti vjen në një moment të veçantë. Një vit më parë, në Samitin e Hagës, Aleanca njoftoi se Tirana ishte planifikuar të priste samitin pas Turqisë.

Megjithatë, sipas një draft-deklarate të cituar nga Reuters, referenca për Shqipërinë nuk figuron më në dokumentin që pritet të miratohet në Ankara. Burime diplomatike e lidhin këtë me debatet më të gjera brenda Aleancës mbi ndarjen e barrës së mbrojtjes dhe drejtimin që pritet të marrë NATO nën administratën Trump.

Qeveria shqiptare ka deklaruar ndërkohë se po përafron buxhetin e mbrojtjes me objektivat e Aleancës, ndërsa kryeministri Rama ka bërë të ditur se shpenzimet do të rriten në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, mbi pragun minimal prej 2 për qind të kërkuar nga NATO.

Në Ankara pritet të marrin pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian António Costa, si dhe liderë e ministra nga vendet partnere të Aleancës.

Në Ankara pritet të marrin pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian António Costa, si dhe liderë e ministra nga vendet partnere të Aleancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë