Politike

Berisha akuzon SPAK-un: 130 mln euro nga djegësi i Tiranës, asnjë zyrtar i prangosur!

Gazeta Si – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi SPAK-un për mosveprim lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke deklaruar se, sipas tij, për një aferë që kap vlerën e 130 milionë eurove nuk është vënë në pranga asnjë zyrtar i lartë.

Berisha tha se në këtë dosje janë të akuzuar vetëm disa ish-zyrtarë, ndërsa sipas tij, përgjegjësit politikë, nuk janë hetuar.

Ai akuzoi Edi Ramën se ka firmosur dhënien e bonusit për një kompani që, sipas pretendimeve të tij, u krijua disa muaj më vonë, ndërsa hodhi akuza edhe ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku, duke pretenduar se nuk kanë ushtruar kontroll mbi zbatimin e projektit.

“Nuk ka akt më të shëmtuar se për 130 milionë euro të mos ketë një zyrtar të lartë të prangosur, qoftë ai ministër, qoftë ai zëvendëskryeministër apo kryetar bashkie. Kjo është amnisti e krimit”, u shpreh Berisha ndër të tjera.

Ai tha se po fshihen emrat e qeveritarëve që sipas tij janë të përfshirë në dosjen “Aruba”. Sipas kreut të PD Engjëll Agaçi, Ergys Agasi e të tjerë, përfliten se janë pjesë e dosjes “Aruba”.

“A ka dëshmi më flagrante të përkatësisë partiake të këtij institucioni, i cili mban të fshehtë emra. Ose si Engjëll Agaçi, Ergys Agasi e të tjerë, të cilët përfliten se janë në dosjen ‘Aruba’ dhe dalin emrat e trafikantëve, dalin emrat e biznesmenëve të dërguar në Aruba me porositë e qeverisë, por jo të qeveritarëve sepse kjo do të ishte dëshmia absolute e narkoshtetit shqiptar. Pse nuk tregojnë cilët qeveritarë tuaj shkuan te trafikantët e drogës? Këta janë më të këqij se ata, ata që fshehin emrat e tyre. Dhe njëri prej tyre, më kryesori, është Altin Dumani i cili ka dosjen”, tha Berisha.

Berisha foli edhe lidhur me protestën madhështore të mbajtur më 4 korrik ku mori pjesë edhe diaspora shqiptare. Ai tha se qëndrimi i PD ka qenë për të mos ndërhyrë në protestën e thirrur nga vetë qytetarët shqiptarë.

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë që në fillim, asnjë ndërhyrje në punët e saj. Nuk është protestë e jona dhe e drejta dhe morali duhet të ishin të pamëshirë ndaj atyre që përpiqen t’jua manipulojnë atë protestë të rinjve shqiptarë. Bazuar në 6 kërkesat e tyre, PD mbështet me të gjitha mundësitë e saj protestën jashtë çdo simboli partiak, por thjesht në frymën qytetare”- tha Berisha.

Ndërsa u pyet sërish për thirrjet e shumta për largimin e tij së bashku me Ramën, Berisha përsëriti deklaratën e tij duke thënë se bëhet fjalë për ata që duan të luajnë rolin e opozitës së opozitës.

“Janë disa klithma përpjekje të opozitës së opozitës, vegël e mirëfilltë e qeverisë e cila mendon se nuk mund të rritet si opozitë me praninë e Sali Berishës për faktin e vetëm se janë “fake opozitë”. Ndaj shfrytëzojnë këtë protestë për një slogan apo parullë të tillë. Kjo nuk e pengon Sali Berishën dhe PD për të mbështetur fuqimisht protestën. Është një veprim guerril i atyre që operojnë për llogari të Edi Ramës në këtë rast konkret”- shtoi kryedemokrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë