Nga Gazeta Si- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje sot që të lirohen menjëherë qytetarët e ndaluar, duke akuzuar policinë për dhunë të rëndë ndaj tyre në protestën e zhvilluar para Parlamentit.
Sipas tij, ndaj protestuesve paqësorë është ushtruar “dhunë çnjerëzore dhe barbare” nga forcat e rendit, duke përmendur përdorimin e gazit lotsjellës, sprajit, ujit me presion dhe goditjet fizike.
“Tek ajo hyrje janë gjuajtur edhe gjatë periudhës kur kemi qenë ne, por nuk ka ndërmarrë kush një operacion të tillë të egër, brutal, duke i qëlluar me shqelma në kokë protestuesit e rrëzuar përdhe. Duke i rrahur dhe torturuar edhe në makinat e policisë”, deklaroi ai.
Ndërkohë Berisha hodhi poshtë pretendimet për dhunë ndaj policisë, duke i quajtur ato “të fabrikuara”.
“Në një akt kriminal, u përpoqën të simulojnë plagosje të policëve, në një kohë kur ato ishin të gjitha ‘fake’. Jam interesuar atë ditë gjatë gjithë kohës me mjekë dhe me mundësi të tjera, absolutisht të gjithë policët që janë dërguar aty, përveç njërit që ka shkuar në QSUT për një problem tjetër, jo për goditje, të tjerët kanë qenë të gjithë vetëm e vetëm për të akuzuar protestuesit se kanë ushtruar dhunë me gjëra qesharake krejtësisht të parëndësishme. Aq e vërtetë kjo, saqë u arrit të kapet edhe dëshmitari i rremë, i cili nga shtrati i spitalit u gjet duke shkelmuar protestuesit pasi luajti rolin e të plagosurit. Sot ata dalin para gjyqit”, tha kryedemokrati.
Kujtojmë se Policia e Tiranës ka arrestuar 19 persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 12 të tjerë për incidentet e ndodhura mesditën e 2 korrikut, pranë Kuvendit të Shqipërisë. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit mbetën të lënduar 15 punonjës policie, ndërsa u dëmtua edhe një automjet i Policisë së Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje