Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli për transformimin e administratës shtetërore, të cilin e cilësoi si një proces kompleks dhe afatgjatë.
Ai theksoi se administrata publike sipas tij ka kaluar një fazë të rëndësishme ndryshimesh gjatë dekadës së fundit, por shtoi se mbetet ende një sfidë e madhe përballë pritshmërive të qytetarëve.
“Transformimi i administratës është një proces mjaft kompleks… sot kemi një kualitet të ri në administratën shtetërore, por kemi edhe një sfidë shumë të madhe përballë qytetarëve,” u shpreh ai.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua protestave të fundit qytetare, përfshirë tubimin e paradites para Kuvendit, i cili u shoqërua me episode dhune.
Rama tha se protestat duhet të lexohen përtej asaj që ai e quajti “kore e zezë”, duke nënvizuar se në to ekzistojnë edhe shqetësime reale të qytetarëve.
Sipas tij, këto shqetësime përbëjnë “ujin e pastër” të protestave, nga i cili institucionet duhet të nxjerrin mësime, ndërsa pjesa tjetër përfaqëson elementë që ai i cilësoi si “dështakë dhe zemërakë”.
“Në atë rrjedhë ka shumë për të mësuar,” deklaroi Kryeministri, duke shtuar se shteti duhet të jetë i aftë të lexojë dhe të reagojë ndaj shqetësimeve të qytetarëve.
Rama solli edhe një shembull personal për të ilustruar pakënaqësitë ndaj administratës, duke treguar historinë e një qytetareje të moshuar që kishte marrë pjesë në protestë për shkak të ndjenjës së “poshtërimit” nga shërbimi shtetëror. Sipas tij, kjo ndjesi është një nga problemet më serioze që duhet adresuar.
“Njerëzit nuk ndihen të fyer vetëm sepse nuk zgjidhin një hall, por edhe nga mënyra se si trajtohen. Edhe kur një problem zgjidhet, mungesa e njerëzillëkut në shërbim krijon ndjesi poshtërimi,” u shpreh ai, duke iu referuar edhe shërbimeve publike si shëndetësia.
Në përfundim, Kryeministri theksoi se administrata duhet të përmirësojë jo vetëm efikasitetin, por edhe sjelljen dhe komunikimin me qytetarët, si pjesë e një procesi më të gjerë transformimi institucional.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje