Ka ndodhur

Goditja e policëve dhe sulmi ndaj deputetëve te Kuvendi, 19 të arrestuar e 12 nën hetim

Gazeta Si – Një ditë pas protestës të zhvilluar para Kuvendit (2 korrik 2026), ku pati incidente dhe bllokime rrugësh, 19 persona janë arrestuar nga policia dhe 12 u proceduan penalisht në gjendje të lirë.

Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit akuzohen se kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë, kanë dëmtuar një automjet policie, si edhe kanë sulmuar deputetë të Kuvendit.

Mes të arrestuarve është edhe shtetasi A. Ll., 35 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur një gazetar gjatë protestës.

Policia bën të ditur se gjatë tubimit mbetën të lënduar 15 punonjës policie, ndërsa u dëmtua edhe një automjet i policisë.

Në kuadër të hetimeve janë proceduar penalisht edhe 12 shtetas të tjerë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për identifikimin e gjashtë personave të tjerë, të dokumentuar me pamje filmike duke kryer veprime të dhunshme gjatë protestës.

Sipas autoriteteve, hetimet do të vazhdojnë edhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë