Politike

Rama prezanton paketën e re: Bonus mujor për pensionistët, 15 mln euro për Onkologjikun dhe 50 mln për biznesin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilluan këtë të enjte një bashkëbisedim me pensionistë, ku prezantuan një paketë të re masash që përfshin ndryshime në skemën e bonusit të pensioneve, mbështetje për biznesin, investime në transportin publik dhe financime shtesë për shëndetësinë.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se, duke nisur nga viti 2026, bonusi për pensionistët nuk do të shpërndahet më vetëm në fund të vitit, por do të jepet çdo muaj. Sipas saj, objektivi i qeverisë është që deri në fund të mandatit pensioni mesatar të arrijë në 400 euro, ndërsa pensioni për ata me vite të pjesshme sigurimi të shkojë në 250 euro.

Ajo tha se kostoja e kësaj skeme për vitin 2026 llogaritet në 10.4 miliardë lekë.

Ibrahimaj njoftoi gjithashtu se ka nisur shpërndarja e bonusit veror prej 5 mijë lekësh për rreth 33 mijë pensionistë, të cilët do ta marrin atë duke filluar nga dita e sotme.

Nga ana e tij, kryeministri Rama theksoi se bonusi nuk lidhet me zgjedhjet, duke kujtuar se vendi nuk do të ketë proces zgjedhor deri në vitin 2029.

“Bonusi nuk ka lidhje me fushatën. Nuk kemi zgjedhje deri në vitin 2029. Është një mbështetje që vjen si rezultat i vëmendjes së vazhdueshme për pensionistët”, u shpreh ai.

Rama shpjegoi se një pjesë e fondit për bonusin është siguruar nga të ardhurat shtesë në buxhet, të krijuara si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe të ardhurave nga taksat mbi karburantet.

Kryeministri tha se përfitues të këtyre të ardhurave do të jenë edhe personat me aftësi të kufizuara. Ai njoftoi se ndihma ekonomike për këtë kategori është dyfishuar, ndërsa shteti do të mbulojë edhe sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për kujdestarët e tyre.

Në fjalën e tij, Rama prezantoi edhe një paketë mbështetëse për biznesin e vogël dhe të mesëm. Ai njoftoi se garancia sovrane do të rritet në 50 milionë euro, duke u dhënë sipërmarrësve mundësinë të marrin kredi me interesa më të ulëta për të zgjeruar aktivitetin e tyre.

Sipas tij, qeveria do ta rrisë më tej këtë fond nëse kërkesa nga bizneset do të shtohet.

Një tjetër nismë e prezantuar ishte ajo për përmirësimin e transportit publik. Rama bëri të ditur se bashkitë, fillimisht ato turistike, do të pajisen me autobusë elektrikë, me synimin për të përballuar fluksin në rritje të turistëve dhe për të ulur kostot e transportit.

Paralelisht, ai njoftoi edhe shtimin e fondeve për pajisjen e bashkive me makineri për mbrojtjen nga përmbytjet dhe zjarret, në kuadër të krijimit të një sistemi kombëtar të mbrojtjes civile.

Sa i përket shëndetësisë, Rama pranoi se ky sektor mbetet “thembrë Akili” e reformave të qeverisë. Ai deklaroi se, pas investimeve në infrastrukturë, fokusi do të jetë përmirësimi i cilësisë së shërbimeve dhe garantimi i barnave.

Në këtë kuadër, kryeministri njoftoi se qeveria ka miratuar një fond shtesë prej 15 milionë eurosh për barnat onkologjike, me synim rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.

Sipas Ramës, fondi është pjesë e një pakete më të gjerë financimesh për shëndetësinë, të ndërmarra pas problematikave të konstatuara në Spitalin Onkologjik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë