U mbajt si çdo ditë protesta e 32-të në kryeqytet në të cilën vijon të mbetet si kërkesë kryesore dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej” për t’iu drejtuar më pas godinës së qeverisë ku mbahen fjalimet.
Një muaj më parë, një incident në Zvërnec u kthye në shkëndijën që ndezi atë që organizatorët e quajtën asokohe “Revolucioni Flamingo”.
Në ditën e 31-të të protestave të pandërprera, lëvizja mbylli muajin e saj të parë me një tjetër incident, këtë herë në zemër të Tiranës, përpara Kuvendit, ku përplasjet me Policinë çuan në shoqërimin në komisariat të gjashtë protestuesve.
Muaji i parë i protestës mbyllet në mënyrë simbolike mes dy episodeve që kanë shënuar rrugëtimin e saj: fillimi me tensionet në Zvërnec dhe përfundimi i muajit të parë me tensionet përpara Parlamentit.
Paraditja e së martës solli momentet më të forta të kësaj faze të protestës.
Një grup protestuesish tentoi të çante gardhin metalik të vendosur nga Policia e Shtetit përreth Kuvendit. Pas shtyrjeve mes efektivëve dhe pjesëmarrësve, gjashtë protestues u shoqëruan në Komisariate të ndryshme të Tiranës. Mes tyre edhe Dritan Goxhaj, një prejpersonazheve të diskutueshëm të protestës.
Pamjet e shoqërimeve u përhapën me shpejtësi në mediat sociale dhe ndezën reagime të menjëhershme. Një pjesë e protestuesve marshoi drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e të ndaluarve, të cilët më pas u lanë të lirë.
Vetë Goxhaj deklaroi pas daljes nga komisariati se arsyeja e shoqërimit ishte pretendimi për kundërshtim të punonjësve të Policisë, ndërsa mohoi që protestuesit të kishin ushtruar rezistencë.
Nga ana tjetër, Qeveria reagoi përmes zëvendëskryeministres Albana Koçiu, e cila dënoi dhunën e ushtruar jashtë Kuvendit dhe akuzoi një grup të vogël protestuesish se po tentojnë të krijojnë destabilizim politik.
Megjithatë, si çdo ditë gjatë këtij muaji, protestuesit u mblodhën sërish pasditen e së martës në Sheshin “Skënderbej” për të marshuar drejt Kryeministrisë, dhe më pas në rrugët e Tiranës.
Në fjalën e tij para nisjes së protestës, një nga organizatorët, Arben Kola, përdori një gjuhë më të ashpër se në ditët e mëparshme.
Ai akuzoi autoritetet se kërkojnë përshkallëzimin e situatës dhe u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë në mënyrë të pavarur, duke deklaruar se organizatorët nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet individuale të protestuesve.
Madje, paralajmëroi se “dhunës do t’i përgjigjen me dhunë”, një deklaratë që pritet të ngjallë debat politik dhe institucional.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje