Nga Gazeta Si- Për ekspertët, siguria ushqimore nuk lidhet vetëm me sasinë e ushqimit që prodhohet, por edhe me aftësinë për ta prodhuar atë në mënyrë të qëndrueshme dhe pa varësi nga importet.
Sipas një analize të publikuar nga Euroneës, ndërsa Kina po investon fuqishëm në burime të reja proteinash dhe bioteknologji, Bashkimi Europian rrezikon të mbetet prapa duke mos shfrytëzuar një teknologji që mund të forcojë pavarësinë e tij ushqimore.
Edhe pse BE-ja konsiderohet eksportuese neto e mishit dhe produkteve të qumështit, prodhimi i saj mbështetet në masë të madhe te importi i ushqimit për kafshët, veçanërisht sojës dhe misrit me përmbajtje të lartë proteinash. Aktualisht, blloku mbulon vetëm një pjesë të vogël të nevojave të veta për sojë, ndërsa pjesa më e madhe importohet nga Amerika e Jugut dhe SHBA.
Lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe ndryshimet klimatike kanë treguar se sa i brishtë është ky sistem. Çdo ndërprerje në zinxhirët e furnizimit sjell rritje të menjëhershme të kostove të prodhimit dhe, si pasojë, të çmimeve të mishit për konsumatorët.
Në të njëjtën kohë, Kina po ndjek një strategji krejtësisht tjetër. Në Planin e saj të 15-të Pesëvjeçar, Pekini ka shpallur proteinat e reja- përfshirë mishin e kultivuar në laborator dhe proteinat e prodhuara përmes bioteknologjisë- si një prioritet të sigurisë kombëtare ushqimore. Qëllimi është të zvogëlohet varësia nga importet e sojës dhe të krijohet një sistem më i qëndrueshëm prodhimi.
Ndërkohë, Bashkimi Europian ka ndërmarrë hapa që kritikët i konsiderojnë pengues për këtë sektor. Një nga vendimet e fundit ishte kufizimi i përdorimit të emërtimeve tradicionale si “viç”, “derr” apo “pulë” për produktet e mishit të kultivuar, një lëvizje që sipas autorit të analizës mund të ngadalësojë zhvillimin e një industrie strategjike.
Ekspertët theksojnë se Kina po aplikon të njëjtën formulë që e ndihmoi të dominonte tregjet globale të paneleve diellore, baterive dhe automjeteve elektrike: investime shtetërore, kërkim shkencor, zhvillim teknologjik dhe mbështetje për prodhimin vendas.
Sipas parashikimeve, kjo strategji mund t’i ulë Kinës varësinë nga importet e sojës me rreth 25% deri në vitin 2030.
Ironikisht, teknologjia e mishit të kultivuar lindi pikërisht në Europë, ku u krijua hamburgeri i parë i prodhuar në laborator.
Kontinenti ka kapacitete të forta në bioteknologji, kërkim shkencor dhe fuqi punëtore të specializuar, por rrezikon t’ia lërë avantazhin konkurrues vendeve të tjera nëse nuk investon më shumë në këtë sektor.
Sipas analizës, një mundësi për të ndryshuar kursin mund të jetë Akti II i Bioteknologjisë që pritet të prezantohet nga Bashkimi Europian.
Nëse ai përfshin prodhimin e proteinave të reja dhe bioprodhimin për ushqimin e njerëzve dhe kafshëve, BE-ja mund të forcojë sigurinë ushqimore, të ulë varësinë nga importet dhe të ruajë konkurrueshmërinë teknologjike në një sektor që pritet të ketë rëndësi gjithnjë e më të madhe në dekadat e ardhshme.
Burimi: EuroNews. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje