Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria do të vijojë të monitorojë situatën ekonomike dhe do të ndërhyjë me masa mbështetëse në rast se rritja e çmimeve tejkalon mundësitë financiare të pensionistëve dhe shtresave në nevojë.
Ajo u shpreh se, pas indeksimit të fundit të pensioneve, inflacioni aktual prej rreth 3% nuk e vendos vendin në një situatë që kërkon masa të menjëhershme shtesë.
“Në mbledhjen e fundit miratuam indeksimin e pensioneve në korrik. Gjatë përballimit të krizave, kemi pasur vëmendje drejt atyre grupeve të popullsisë që nuk mund të përballojnë rritje të çmimeve. Sot inflacioni është në 3%. Nuk gjykohet se jemi në kushtet që rritja e çmimeve është e papërballueshme, por kur të vlerësojmë që ka një rritje të çmimeve tej asaj që mund të përballojnë pensionistët ose shtresat në nevojë, ne do të jemi aty për të marrë masat dhe për t’i mbështetur”, tha Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se gjatë muajit shtator qeveria do të prezantojë komponentët e reformës së skemës së pensioneve, ku do të përcaktohen edhe fushat e ndërhyrjes.
“Brenda muajit shtator do të bëjmë të ditur komponentët ku do të ndërhyjmë në skemën e pensioneve”, u shpreh ajo.
Ibrahimaj deklaroi gjithashtu se brenda këtij viti pritet të miratohet ligji i ri për investimet strategjike, i cili synon përafrimin me standardet e Bashkimit Europian dhe tërheqjen e investimeve të huaja, përfshirë edhe në zona të disavantazhuara.
Duke komentuar investimin e planifikuar në Zvërnec, ministrja sqaroi se ende nuk ka një projekt të miratuar dhe se po punohet për hartimin e tij nga arkitektë dhe ekspertë mjedisorë, në përputhje me standardet e BE-së.
“Ende nuk kemi një projekt për Zvërnecin. Është duke u punuar nga arkitektë, ekspertë mjedisorë që të dorëzohet një projekt që do të përmbushë standardet e BE përsa i përket mjedisit dhe do të bëjë të mundur investimin më madhor që kemi pasur në turizëm në nivelin e 4 miliardë eurove. Një ekonomi që ka një prodhim të përgjithshëm prej 27 miliardë eurosh, 4 miliardë përbën një nxitje shumë të madhe për ekonominë vendase”, tha Ibrahimaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje