Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj qëndrimeve të disa arkitektëve ndërkombëtarë të angazhuar në projekte në Shqipëri, duke i akuzuar se janë kthyer në mbështetës të kryeministrit Edi Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi, mbështetur në librin “sekret” të quajtuar “Dosjet Shqiptare”, thotë se disa studio arkitekture dhe ekspertë të huaj që kanë bashkëpunuar me qeverinë shqiptare, kanë mbajtur qëndrime politike në favor të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Rama, si dhe kanë kritikuar opozitën.
Sipas tij, këto qëndrime lidhen me interesat financiare dhe projektet publike në Shqipëri.
“Projektet korruptive apo uria për të fituar para publike në vendin më të varfër të Europës, mesa duket i paska ‘detyruar’ këto studio të shndërrohen në organizata patronazhimi të PS, duke e manipuluar me qëllim historinë”, shkruan Këlliçi.
Ai ka kritikuar edhe arkitektin holandez Reinier de Graaf, i cili më herët i kishte dërguar një letër kryeministrit Rama me tone ironike, duke folur për një Shqipëri pa zgjedhje dhe duke sugjeruar simbolikisht që Rama të bëhej “mbret”.
Këlliçi kërkon që këto qëndrime të hetohen dhe që kontratat mes qeverisë shqiptare dhe studiove ndërkombëtare të bëhen transparente.
“Më herët, arkitekti holandez de Graaf kërkonte që në Shqipëri të mos mbaheshin zgjedhje fare… Këto janë të gjitha lobime të paguara mirë nga taksat e shqiptarëve”, shprehet ai.
Deputeti demokrat thekson se do të kërkojë në Kuvend sqarime mbi mënyrën se si këto studio janë përzgjedhur dhe nëse ka ndikime politike në dhënien e projekteve publike.
Ai shton se këto çështje, sipas tij, meritojnë “transparencë dhe hetim të plotë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje