Tirana renditet mes qyteteve më të shtrenjta në Europë për blerjen e një banese, në raport me të ardhurat e qytetarëve. Sipas një analize të publikuar nga Euronews, kryeqyteti shqiptar zë vendin e pestë në Europë, ku një familjeje i duhen mesatarisht 18.1 vite të ardhura për të blerë një shtëpi.
Në renditje, Tirana qëndron pas Lisbonës dhe Splitit (18.7 vite), Pragës dhe Milanos, ndërsa para Vjenës, Beogradit, Parisit, Londrës dhe Brnos. Sipas analizës, një raport mbi 10 vite të ardhura konsiderohet tashmë problematik për përballueshmërinë e tregut të banesave.

Në rastin e Portugalisë, analiza tregon se gjatë dekadës së fundit çmimet e banesave janë rritur me gati 240%, ndërsa pagat mesatare janë rritur vetëm 59%. Kjo diferencë e madhe ka bërë që Lisbona të shndërrohet në një nga tregjet më të papërballueshme të banesave në Europë, duke nxitur protesta për strehimin dhe kërkesa për më shumë banesa të përballueshme.
Në Portugali, kriza e strehimit ka shkaktuar valën më të madhe të protestave në dekada. Që nga viti 2023, lëvizja “Casa para Viver” (“Shtëpi për të jetuar”) ka nxjerrë në rrugë dhjetëra mijëra qytetarë me sloganin “Já não dá” (“Nuk durohet më”).
Protestuesit kërkojnë kontroll më të fortë të qirave, ndërtimin e më shumë banesave të përballueshme dhe vënien në përdorim të ndërtesave bosh, duke argumentuar se strehimi është një e drejtë kushtetuese.
Kriza është veçanërisht e dukshme në periferinë e Lisbonës, ku shumë familje, edhe pse punojnë me kohë të plotë, nuk arrijnë të përballojnë qiratë e tregut dhe rrezikojnë dëbimin nga banesat ku jetojnë.
Sipas Jaime Luque, anëtar i Bordit Këshillimor për Strehimin të Komisionit Evropian, ndikimi i krizës shkon përtej tregut të pasurive të paluajtshme. Ai thekson se kur mësuesit, infermierët, policët, të rinjtë profesionistë dhe studentët nuk mund të përballojnë jetesën në një qytet, ai humbet gradualisht konkurrueshmërinë ekonomike./Euronews
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje