Treg

Nafta bie në nivelin para luftës në Iran

Çmimet e naftës ranë sërish të mërkurën, ndërsa shqetësimet për ndërprerje të furnizimit u zbutën dhe investitorët po monitorojnë zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Nafta Brent humbi 1.7%, duke zbritur në 75.81 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga 27 shkurti. Ndërkohë, nafta amerikane e ) ra me 1.6%, në 72.02 dollarë për fuçi.

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi kompanitë e naftës, duke i akuzuar se nuk po ulin çmimet e karburanteve në përputhje me rënien e çmimeve të naftës bruto.

“Kompanitë e mëdha të naftës nuk po i ulin çmimet në pikat e karburantit në të njëjtën masë me rënien e çmimeve që paguajnë për naftën. Çmimet e naftës po bien si gur,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.

Ai shtoi se konsumatorët po “zhvaten” dhe tha se ka kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë të hetojë situatën.

Megjithatë, ekspertët e energjisë e konsideruan deklaratën e Trump si “teatër politik”, duke theksuar se çmimet e karburanteve në SHBA ndikohen edhe nga taksat shtetërore dhe lokale, si dhe nga koha që u duhet rafinerive për të reflektuar ndryshimet e çmimeve të naftës në treg.

Ndërkohë, tregjet u qetësuan edhe nga sinjalet se trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit mund të rikthehet gradualisht në normalitet. Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) njoftoi se më shumë se 11 mijë marinarë të bllokuar në Gjirin Persik do të mund të largohen pasi janë siguruar garancitë e nevojshme për lundrim të sigurt.

Sipas IMO-së, operacioni do të realizohet në bashkëpunim me Iranin, Omanin, shtetet e tjera bregdetare të rajonit, Shtetet e Bashkuara dhe industrinë detare.

Ekspertët paralajmërojnë se, megjithëse hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit pritet të lehtësojë presionin mbi zinxhirët e furnizimit, do të duhet ende kohë që situata të normalizohet plotësisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë