Politike

Rama mesazh protestuesit para Kryeministrisë: Tek ty shoh veten time dhe hallet e tua

Nga Gazeta ‘Si’– Ndryshe nga herët e tjera, kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e kësaj të marte foton e një protestuesi të ulur në shkallët e Kryeministrisë, të shoqëruar me një mesazh të gjatë.

Në postimin e tij në Facebook, ai shkruan se nuk e sheh protestuesin si humbës, por si një qytetar që ka mbetur vetëm me bindjet dhe shqetësimet e tij.

Ai rendit një sërë problemesh me të cilat mund të përballen qytetarët, nga vështirësitë ekonomike, padrejtësitë në punë, problemet me shëndetin apo çështjet e pronësisë, duke argumentuar se këto janë arsye reale që nxisin zemërimin dhe pakënaqësinë.

Sipas Ramës, shumë prej atyre që nxisin protestat apo komentojnë nga studiot televizive nuk janë pranë protestuesve pasi tubimi mbaron. Ai i akuzon se përdorin zemërimin e qytetarëve për interesat e tyre politike dhe personale.

Sipas tij, protestuesi është përdorur nga aktorë të ndryshëm politikë, mediatikë dhe virtualë, të cilët, sipas tij, e kanë ngritur në piedestal gjatë protestës, por më pas e kanë lënë vetëm.

Në një pjesë të gjatë të mesazhit, kryeministri sulmon opozitën, komentatorët politikë, influencerët dhe profilet anonime në rrjetet sociale, duke i akuzuar se ushqehen me zemërimin e qytetarëve dhe i përdorin ata për përfitime politike apo personale.

Në fund të letrës, Rama i bën thirrje protestuesit të mos lejojë askënd të përdorë hallet e tij kundër Shqipërisë dhe e fton në dialog, pa kërkuar domosdoshmërisht mbështetje politike apo elektorale.

“Unë jam miku, jo armiku yt”, përfundon kryeministri mesazhin e tij, i cili ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë