Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme me gazetarët është ndalur tek hoteli i famshëm “Zig Zag”, i cili u sekuestrua nga SPAK.
Sipas Sali Berishës, prona ku u ndërtua ky hotel është tokë publike dhe jo private.
Teksa bëri publike një hartë që dikur është publikuar nga i ndjeri Artan Lame, Berisha deklaroi se pasi Lame e bëri publike, sipas tij, Rama e shkarkoi menjëherë.
Po sipas asaj që pretendon Berisha, pozicioni ku është blerë toka lë shumë për të dyshuar, ndërsa thekson se “toka ndodhet në kufij me tokën e pretenduar nga Edi Rama”.
“Pra e shihni Artan Lame publikon hartën, i cili ka meritën që nuk e regjistroi kurrë tokën e pretenduar nga Edi Rama, Olsi Rama, mamaja e tyre e ndjerë Aneta.
Pra toka është publike, sipas hartës që ka publikuar, nuk është private. Pasi publikoi këtë hartë Edi Rama e shkarkoi me tërbim”, deklaroi kreu i PD.
Berisha tha po ashtu se për herë të parë në histori sipas tij ka blerës toke, por pa shitës: “Për tre vite Isa Aliu bashkë me noterin nuk e kanë ditur se për regjistrimin në ASHK duhet kontrata e shitblerjes dhe raporti i vlerësimit.
Por pozicioni ku është blerë toka lë shumë për të dyshuar. Disa gjëra që janë të sigurta janë fakti se toka ndodhet në kufij me tokën e pretenduar nga Edi Rama. Ndërsa dyshimi i fortë mbetet se kjo tokë është brenda kufijve për të cilën Edi Rama, e ndjera Aneta Rama dhe Olsi Rama pretendojnë.
Ne nuk kemi mundur të gjejmë shitësit, as mënyrën si e kanë përfituar shitësit këtë tokë. Është rasti i parë në histori, ku ka blerës pa shitës. Në certifikatën e regjistrimit zëri kadastral është shënuar pemtore, në një vend që ka pasur vetëm shkurre. Pra në rast se nuk do ishte shënuar e tillë, çdolloj forme përfitimi, qoftë me AMTP qoftë me trashëgimi do ishte e pamundur të posedohej pasi në Vuno janë ndarë me ligjin 7501 janë ndarë vetëm ullishtet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje