Lajme

Moti i keq, tre viktima në Greqi

Moti i keq dhe temperaturat e ulta kanë përfshirë ditët e fundit edhe Greqinë, ku fatkeqësisht janë regjistruar edhe viktima.

Tre persona kanë humbur jetën në zonën e njohur si Keratsini, në periferi të Athinës. Sipas autoriteteve greke, të tre viktimat janë mbi 65 vjeç dhe ata rezultonin të zhdukur prej dy ditësh.

Të moshuarit kishin humbur gjurmët në kohën kur zona ku banonin u godit nga një stuhi reshjesh të dendura shiu, i shoqëruar me erë të fortë dhe temperatura të ulta. Dyshimet janë se viktimat u rrëmbyen nga ujërat e vrrullshëm të një përroi të tejmbushur në momentin që po ktheheshin në banesat e tyre.

Trupat e pajetë u gjetën gjatë kërkimeve të kryera me dron dhe kamera termike mesditën e së dielës.

Zyra e emergjecave civile u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e kota, pasi vendi është përfshirë nga një valë të ftohti polar, që parashikohet të zgjasë edhe për disa ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë