Politike

Rama reagon pas rezolutës së PE: Amendamenti nuk lidhet me Zvërnecin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në platformën X duke komentuar debatin politik të krijuar pas rezolutës së fundit të Parlamentit Europian për çështjet mjedisore dhe zonat e mbrojtura në Shqipëri.

Në reagimin e tij, Rama ironizon kundërshtarët politikë dhe aktivistët mjedisorë, duke i cilësuar si “tam-tamxhinj” dhe duke pretenduar se kanë keqinterpretuar vendimin e eurodeputetëve.

Ai shkruan se “flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta”, ndërsa shton se narrativa për një “fitore të parë” të protestës është, sipas tij, e ndërtuar mbi keqinformim.

Duke iu referuar debatit për zonat e mbrojtura, Rama thekson se amendamenti i miratuar nga Parlamenti Europian nuk lidhet me projektet në zonën e Zvërnecit apo Pishë Poro-Nartë, por specifikisht me zonën Nartë–Vjosë, ku ai deklaron se Qeveria ndan të njëjtin qëndrim me institucionet europiane.

“Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale. Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standartet e BE-së”, shkruan ai.

Ai shton se çështja e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është pjesë e procesit të negociatave me Bashkimin Europian dhe do të trajtohet në bashkëpunim me Komisionin Europian, në përputhje me standardet e BE-së.

Në fund të reagimit, Rama ironizon edhe debatin publik në rrjetet sociale, duke e cilësuar si “histeri digjitale” dhe duke kritikuar atë që e quan deformim të fakteve nga aktorë politikë dhe publikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë