Drejtësia

Debate në GJKKO në gjyqin ndaj Metës dhe Kryemadhit, SPAK kërkon 30 dëshmitarë

Gazeta Si – Seanca gjyqësore e kësaj të enjteje ndaj ish-presidentit, Ilir Meta, dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, u shoqërua me debate dhe tensione, ndërsa SPAK ka kërkuar marrjen në pyetje të 30 dëshmitarëve, mes tyre politikanë, ish-deputetë të LSI-së dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të tij.

Prokurori i Posaçëm, Sotir Kllapi, paraqiti detaje nga hetimi lidhur me pagesat e kryera për kompaninë amerikane GSIS, e cila sipas organit të akuzës kishte kontratë me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).

Sipas Kllapit, nga 416 mijë dollarë të raportuara nga kompania, vetëm 93 mijë dollarë rezultojnë të jenë paguar nga llogaritë e LSI-së.

Hetimet kanë treguar se GSIS ka siguruar takime të Ilir Metës me zyrtarë të departamenteve amerikane të Drejtësisë dhe Bujqësisë, ndërsa pagesat kanë vijuar edhe përtej afatit tremujor të parashikuar në kontratë.

GJKKO e akuzon për pastrim parash

Prokurori tha se kompania kishte dërguar në Shqipëri persona të kontraktuar prej saj dhe se verifikimet kanë treguar se disa prej shpenzimeve të tyre janë paguar nga biznesmeni Adrian Shatku ose me kartat bankare të tij.

Sipas SPAK-ut, kjo përforcon dyshimet se edhe pagesat për llogari të LSI-së në SHBA janë kryer nga i njëjti person.

Nga letërporositë e dërguara në SHBA, hetuesit kanë identifikuar disa llogari bankare të Shatkut. Sipas dokumentacionit të siguruar, GSIS i ka lëshuar LSI-së 18 fatura. Tre prej tyre rezultojnë të paguara nga LSI, ndërsa 12 të tjera nga kompania Unify Com Inc., e lidhur me Adrian Shatkun. Për një shumë prej 93 mijë dollarësh, SPAK deklaroi se nuk disponon të dhëna.

Organi i akuzës pretendon se 279 mijë dollarë janë produkt i korrupsionit dhe se më pas janë paraqitur si pagesa të ligjshme përmes një skeme pastrimi parash.

“Shuma prej 279 mijë USD pretendojmë se janë produkt i korrupsionit, por është gjetur edhe një mënyrë pastrimi e tyre. Ato janë servirur si pagesa të ligjshme, ndërsa janë përfitim i drejtpërdrejtë i korrupsionit”, deklaroi prokurori Kllapi.

Sipas SPAK-ut, Ilir Meta, në cilësinë e ish-kryetarit të LSI-së, ka konsumuar elementët e veprës penale të pastrimit të parave.

Përplasja me gjyqtarin Erion Bani

Gjatë seancës nuk munguan edhe përplasjet verbale. Meta i është drejtuar gjyqtarit Erion Bani me fjalët: “Jeni ekstremisht i njëanshëm”, pasi pretendoi se nuk po i jepej fjala gjatë relatimit të prokurorit.

Nga ana e tij, gjyqtari Bani iu përgjigj se nëse kishte kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues, duhej ta paraqiste sipas procedurës. “Jeni shumë të mirë. Më e mira prej jush është Irena Gjoka”, u shpreh Meta në sallë.

Ndërkohë, një tjetër ndërhyrje pa leje nga Monika Kryemadhi dhe avokati Kujtim Cakrani solli reagimin e gjykatës, e cila i gjobiti të dy me nga 10 mijë lekë për prishje të solemnitetit të seancës.

SPAK kërkon 30 dëshmitarë në gjyq

Në fund të seancës, SPAK ka kërkuar marrjen në pyetje të 30 dëshmitarëve në lidhje me gjyqin ndaj ish-presidentit dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Bëhet fjalë për: Jozef Hajse, Ervis Mataj, Ardian Shatku, Pirro Xhixho, Ema Çoku, Esmeralda Shkjau, Ardian Shatku, Kastriot Ismailaj, Vojsava Ismailaj, Milena Harito, Perparim Spahiu, Sokol Hysenaj, Majlind Lazimi, Agron Cela, Luan Rama, Endrit Brahimllari, Samir Mane, Petrit Vasili, Spartak Braho, Ilir Kulla, Fatos Mahmutaj, Theodhori Çami, Nasip Naco, Vangjel Tavo, Lindita Troka, Baton Haxhiu, Erjol Brahimllari, Damian Gjiknuri dhe Ralf Gjoni.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim të parave dhe fshehjes së pasurisë, lidhur me çështjen CEZ-DIA dhe kontratat e lobimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa të pandehurit, Fatima Kryemadhi, Ema Çoku, nën akuzë për pastrim parash dhe Piro Xhixho, i pandehur për korrupsion. Ish-presidenti Meta i mohon akuzat dhe pretendon se procesi ndaj tij është i motivuar politikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë