Drejtësia

Dibër / Tjetërsuan prona me dokumente false, në kërkim zv.drejtori i Kadastrës, noterja dhe përfituesi

Gazeta Si – Një hetim 7-mujor, ka zbardhur një skemë kriminale të falsifikimit të dokumenteve, me qëllim tjetërsimin e pasurive të paluajtshme në Dibër.

Mësohet se lidhur me këtë rast janë ekzekutuar 14 masa sigurie, për punonjës dhe ish-punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër dhe për disa shtetas familjarë të njëri-tjetrit, në favor të të cilëve dyshohet se janë tjetërsuar pronat. Ndërsa në kërkim janë shpallur edhe 3 të tjerë.

Përveç dy personave të tjerë, në kërkim është shpallur edhe zëvendës-drejtori i Kadastrës në Dibrës, Danjel Gjura, i cili në zgjedhjet e 11 majit kandidoi për deputet nën siglën e PS.

Sipas hetimeve, del se falsifikimet ishin bërë me qëllim tjetërsimin e pasurive të paluajtshme në favor të Teshar Doçit e familjarëve të tij.

Të arrestuar, janë Teshar Doçi (përfituesi), Fatjon Çakrri (familjar i Teshar Doçit), të akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.

Në “arrest në shtëpi” janë lënë dy punonjës të Kadastrës, konkretisht: shtetasit K. Xh., ish-specialist matjesh në terren dhe R. L., me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Legalizimeve të akuzuar për falsifikim dokumentesh.

Masa e detyrimit paraqitje u vendos për 6 të tjerë, të gjithë punonjës të Kadastrës, të akuzuar për falsifikim dokumentesh. Bëhet fjalë për: E. V me detyrë Hartograf; G. H Përgjegjëse e Sektorit të Legalizimeve; V. Gj Juriste në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale; Xh. H., Hartografe në Sektorin e Legalizimeve; D. D Hartografe në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale; F. P Hartografe në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale.

Në detyrim paraqitje u la edhe shtetasja E. D. (bashkëshortja e T. D.), për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa në kërkim u shpallën D. Gj zëvendës drejtor i Kadastrës dhe ish drejtor, për të cilin është caktuar masa arrest në burg për akuzën e mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Në kërkim është po ashtu A. M., me detyrë Notere, ndaj së cilës u caktua arrest në shtëpi dhe shtetasi N. U. (familjar i shtetasit T. D.), për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Nga hetimet dyshohet se shtetasit me detyra aktuale dhe të mëparshme në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Dibër, dhe noterja, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer veprime të tjera administrative të kundërligjshme, me qëllim tjetërsimin e pronave të paluajtshme, në favor të shtetasit T. D. dhe familjarëve të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë