Politike

Kuvend/ Pritet miratimi i amnistisë penale, 4 interpelanca në rendin e ditës

Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot (18 qershor) seancën e radhës plenare, ku një nga çështjet kryesore në rendin e ditës do të jetë procesi i integrimit europian të vendit.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, do të informojë deputetët mbi rezultatet e Konferencës së Tetë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, e mbajtur në Bruksel, e cila shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në negociatat për anëtarësim.

Seanca parashikon gjithashtu zhvillimin e katër interpelancave me anëtarë të qeverisë. Dy prej tyre i drejtohen ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, për problematikat që lidhen me shërbimet dhe infrastrukturën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si edhe për vështirësitë e raportuara nga qytetarët në kryerjen e analizave laboratorike pas datës 20 të çdo muaji.

Ndërkohë, deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar sqarime nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu lidhur me procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Në të njëjtën kohë, deputetja e opozitës Ina Zhupa do të kërkojë llogari nga ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, për masat e ndërmarra në funksion të sezonit veror dhe menaxhimit të fluksit turistik.

Një tjetër pikë me interes pritet të jetë diskutimi për amnistinë penale. Drafti që do të shqyrtohet në Kuvend mund të përfshijë ndryshime në afatin kufizues të vendimeve të formës së prerë, çka pritet të ndikojë drejtpërdrejt në numrin e personave që do të përfitojnë nga kjo nismë.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu tre projektligje që lidhen me Kodin Rrugor. Njëri prej tyre synon adresimin e problematikave të transportit rrugor, përfshirë tejkalimin e peshave të lejuara, mungesën e kontrolleve dhe mospërputhjet ligjore. Dy projektligje të tjera, të propozuara nga opozita, fokusohen te rregullimi i përdorimit të automjeteve elektrike, motomjeteve dhe monopatinave, me theks të veçantë te regjistrimi dhe përdorimi i tyre nga të miturit.

Në axhendën e seancës janë përfshirë edhe projektligje që prekin sektorin e energjisë elektrike, transportin e mallrave dhe sigurimet shoqërore. Krahas tyre, Kuvendi pritet të shqyrtojë dhe të votojë shtatë projektvendime të tjera që lidhen me çështje të ndryshme institucionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë