Art dhe Kulture

Asnjë pikë për Gentin, Ermal Meta habitet: S’e kuptoj votimin e Italisë

Me numrin e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali dhe me vlerësimet që vetë publiku italian kishte për këngën e Eugent Bushpepës, Shqipëria me siguri që ka marrë pikë nga votimet e publikut.

Por, juria që çuditërisht mbante emrin “profesioniste” nuk mendoi kështu dhe gjatë votimit “Mall” i Eugent Bushpepës nuk mori asnjë pikë prej tyre.

Juria e Shqipërisë nga ana tjetër i dha 12 pikët e plota Italisë, edhe prej faktit se këngëtari përfaqësues është shqiptar, Ermal Meta.

Ky i fundit ka reaguar përmes rrjeteve sociale në lidhje me votimin e profesionistëve italianë.

“Sinqerisht nuk i kuptoj 12 pikët e jurisë italiane. Unë do t’ia kisha dhënë Shqipërisë. Zëri dhe intonacioni i Eugentit është mbresëlënës”, shkruan ai në italisht në Twitter.

Finalja e madhe e Eurovision u zhvillua ditën e shtunë dhe fituese u shpall këngatarja izraelite Netta me këngën e saj “Toy”.

Spektakli, që regjistroi një incident gjatë performancës së këngëtares britanike SuRie, ku një fans i rrëmbeu mikrofonin në skenë, nuk u shpëtoi as këtë vit kritikave për mënyrën e votimit dhe rezultatin final.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë