Drejtësia

Trafikuan më shumë se 4 tonë kokainë, SPAK çon për gjykim anëtarët e grupit kriminal

Gazeta Si – SPAK ka njoftuar përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dosjes, në ngarkim të 10 të pandehurve për trafik ndërkombëtar droge.

Të pandehurit, Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata akuzohen për një sërë veprash penale të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, hetimet kanë dokumentuar 8 episode të trafikimit të drogës gjatë viteve 2020–2021, ku lëndët narkotike janë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine (Brazili dhe Ekuadori) drejt porteve kryesore të Bashkimit Europian, si Italia dhe Holanda, si dhe nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Gjermanisë.

Në total, sipas dosjes hetimore, janë trafikuar rreth 4,340.2 kilogramë lëndë narkotike, konkretisht 3,635 kilogramë kokainë, 2 kilogramë heroinë dhe 701 kilogramë kanabis.

SPAK thotë se veprimtaria kriminale është kryer në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, si dhe me individë të dënuar nga autoritetet e huaja.

Përveç trafikimit të lëndëve narkotike, të pandehurit akuzohen edhe për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit, konkretisht për transportimin e 55 shtetasve sirianë nga Shqipëria drejt Italisë.

Hetimet e SPAK vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal ndërkombëtar.

Goditja e këtij grupi ka ardhur pas hestimeve dhe koordinimit me autoritetet braziliane, ekuadoriane, franceze, holandeze, italiane, serbe si dhe Eurojust dhe Europol.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë