Gazeta Si – GJKKO ka refuzuar 5 kërkesat e mbrojtjes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili refuzoi të paraqitet në gjyqin ndaj tij për disa arsye.
Avokati i tij, Plarent Ndreca, kërkoi fillimisht lejimin e kamerave për transmetim “live” të seancës, Veliaj të mos qëndrojë në kafazin e xhamit, kohë shtesë për t’u njohur me provat, informacion i plotë mbi mënyrën e administrimit të kallëzimit të bërë nga “Nesti Angoni”.
Kryebashkiaku refuzoi të paraqitet në seancë, por i është drejtuar GJKKO-së me një kërkesë që gjykimi ndaj tij të transmetohet drejtpërdrejt për publikun, ose përmes kamerave të mediave, ose përmes një sinjali zyrtar të vetë gjykatës.
Përmes një deklarate, ai i bën me dije gjykatës” “Nuk do të jem i pranishëm, pasi SPAK nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës për të dorëzuar fashikujt e munguar dhe provat digjitale, si edhe për të më mundësuar pjesëmarrjen si njeri i lirë në sallën e gjyqit. Kërkoj të përfaqësohem nga avokati im, Plarent Ndreca”, tha Veliaj.
Po sipas Veliajt, gjykata nuk ka zbatuar dispozitën ligjore, “që më jep të drejtë të marr pjesë si njeri i lirë në sallën e gjyqit”.

Kërkesat e Erion Veliajt
“Unë kërkoj lejimin e kamerave për të regjistruar live këtë proces. Fakti që vjen në sallë një punonjëse administrative dhe pyet kush është dakord e kush jo, kjo është ndërhyrje ne punët e gjykatës. Vendimmarrjen e merr trupa gjyqësore. Moslejimi i kamera në sallë është një goditje e drejtpërdrejt e të drejtës kushtetuese që kanë mediat për të transmetuar live.
Së dyti, kërkoj që t’i krijohen kushtet zotit Veliaj të marrë pjesë në gjyq, jashtë kafazit, në krah të avokatit. Mosprezenca e tij, ndikon drejtpërdrejt në proces. Ka një korrespondencë mes Komitetit të Helsinkit dhe GJKKO, ku përmendet cenimi i dinjiteti me mbajtjen e të pandehurve në kafazin e xhamit. Veliaj nuk paraqet asnjë rrezikshmëri mbi mbarëvajtjen e procesit. Kërkoj që Veliaj të jetë i lirë krah avokatit, që të realizojë mbrojtjen, si Kushtetuta i garanton.
Së treti, përsa kohë nuk jemi njohur me provat digjitale, na jepni mundësinë për të bërë kërkesa për pavlefshmëri aktesh, pasi të jemi njohur me provat digjitale.
Së katërti, kemi kërkuar nga SPAK të na vendosë në dispozicion, si është administruar kallëzimi nga Nesti Angoni.
Së pesti, vlerësojmë se seanca 1 herë ne javë nuk garanton mbrojtje efektive, është afat shumë i ngushtë. Të paktën te jenë dy javë nga një seancë në tjetrën”, tha avokati i Veliajt.

Refuzimi nga GJKKO-ja
Kërkesa për transmetim “live” të seancës u konsiderua e përsëritur dhe u refuzua nga trupi gjykues, i cili u shpreh se seanca është publike, por kjo nuk nënkupton detyrimisht transmetim të drejtpërdrejtë në media.
Gjykata gjithashtu rrëzoi kërkesën për nxjerrjen e të pandehurit nga ambienti i ndarë me xham, duke argumentuar se një masë e tillë nuk cenon të drejtat procedurale të të pandehurit dhe lidhet me mbarëvajtjen e procesit.
U refuzua edhe kërkesa për zhvillimin e seancave më shpesh se një herë në javë, si dhe kërkesat që lidhen me provat digjitale, për të cilat gjykata u shpreh se është vendosur më herët.
Ndërkohë, për shkak të kërkesës së mbrojtjes së një prej të pandehurve të tjerë, Ajola Xoxa, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për datën 23 qershor, ora 10:00.
Po ashtu, u bë e ditur se pezullohen afatet e paraburgimit për Erion Veliajn.
Avokati dhe prokurori i SPAK-ut
Avokati i tij, Plarent Ndreca, argumentoi se aktet e kërkuara ishin dorëzuar vetëm pak orë para seancës dhe kërkoi kohë shtesë që klienti të njihej me materialet për të garantuar një mbrojtje efektive.
Nga ana tjetër, prokurori Olsi Dado kundërshtoi kërkesën për shtyrje, duke theksuar se dokumentet e vëna në dispozicion lidhen me episode dhe persona të tjerë të procedimit penal dhe nuk përbëjnë shkak për ndërprerjen e procesit.
Dado tha se qëndrimi i Veliajt në kafazin e qelqtë është garanci dhe se sipas tij, nuk përbën trajtim poshtërues.
Pas shqyrtimit të pretendimeve, gjykata vendosi vijimin e seancës, duke argumentuar se vënia në dispozicion e akteve të kërkuara, për shkak të natyrës së tyre, nuk përbën shkak për ndërprerjen apo shtyrjen e gjykimit.

Seanca e fundit e mbajtur ndaj Veliajt më 10 qershor, u shty për shkak të mungesës së disa prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve.
Veliaj gjithashtu mungoi dhe shkak ishte mbyllja të kafazin e xhamit. Kryebashkiaku e cilëson mbajtjen në kafaz si të paligjshme, antikushtetuese dhe diskriminuese.
Në seancën e fundit, treshja gjykuese i tha prokurorit të çështjes Ols Dado t’i çojë në qelinë e paraburgimit e mijëra faqe të tjera dokumente Veliajt, i cili gjatë gjithë kësaj kohe ka pretenduar se nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet hetimore.
Më 27 prill, dosja e Veliajt u nda në dy fraksione, pasi u pranua kërkesa e 11 të pandehurve. Mes tyre, biznesmeni Elman Abule dhe ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka, kanë përfituar gjykim të shkurtuar.
Ndaj Erion Veliajt, i cili mbahet i arrestuar që prej 10 shkurtit të vitit 2025, rëndojnë 13 akuza për 5 vepra penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje