Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama deklaroi se Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ që lidhet me projektet në Sazan dhe Zvërnec.
Në një reagim publik, Rama thekson se të gjitha procedurat janë të dokumentuara dhe i janë bërë të njohura institucioneve europiane, ndërsa i referohet edhe deklarimeve të Komisioneres së Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, e cila ka folur për respektimin e standardeve dhe procesin në zhvillim.
“Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin dhe vetë Komisionerja Marta Kos ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”, shkruan Rama në Facebook bashkangjitur deklaratën e Kos.
Kjo e fundit deklaroi të hënën se qeveria shqiptare ka garantuar Komisionin Europian se projekti turistik prej më shumë se 1.4 miliardë eurosh, i lidhur me Jared Kushner, do të respektojë standardet mjedisore europiane.
“Ne kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mjedisit do të respektohen”, tha Kos gjatë një konference për shtyp.
Deklarata vjen në një moment kur projekti luksoz turistik në bregdetin shqiptar ka nxitur protesta masive dhe debat publik mbi ndikimin e tij në zonat e mbrojtura mjedisore.
Shqipëria konsiderohet një nga vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pas Malit të Zi. Megjithatë, për të përfunduar negociatat e anëtarësimit, Tirana duhet të harmonizojë legjislacionin e saj me acquis communautaire, përfshirë standardet e mbrojtjes së mjedisit.
Vetëm pak ditë më parë, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Guillaume Mercier, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të veprojnë “pa vonesë” për të shmangur rrezikimin e procesit të anëtarësimit, pas shqetësimeve të ngritura nga Brukseli lidhur me projektin.
Komentet e tij shkaktuan reagime në Tiranë, pasi u interpretuan si një qëndrim paraprak i Komisionit Evropian, ndërkohë që procesi i vlerësimit mjedisor vazhdon ende.
Kos mbajti një ton më pajtues, duke nënvizuar se protestat janë pjesë e vlerave themelore evropiane.
“Fakti që kjo po ndodh ndërsa Shqipëria po kalon procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm. Ky proces është ligjërisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet monitorimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Kjo ofron garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standardet evropiane”, deklaroi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje