Nga Gazeta Si- Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ka folur për herë të parë që nga nisja e protestave.
Në interpelancën me deputetët e opozitës lidhur me investimin në Zvërnec, ministri tha se projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë për ndikimin në mjedis ndërkohë që deputetja demokrate Ina Zhupa e pyeti se se si miratohet rrethimi i territorit apo si lejohet ndërhyrja në duna pa vlerësimin e ndikimit në mjedis. Zhupa tha se është ndryshuar ligji i zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimeve të tilla.
Më tej, ministri Jaupaj shtoi se statusi i peizazhit të mbrojtur lejon zhvillimin në këtë zonë, duke qenë e kategorisë 5.
Jaupaj shtoi se BE nuk ndalon automatikisht zhvillimin, por kërkon respektimin e habitatit.
“BE kërkon respektimin e direktivës së habitateve dhe shpendëve. Projekti të zhvillohet në bazë të ndikimit konkret që mund të ketë. Nenet kërkojnë vlerësim të përshtatshëm të ndikimit dhe jo ndalim automatik”, tha Jaupaj.
“Askush s’mund të vërë në dyshim angazhimin tonë për natyrën sepse është i matshëm. Është debat i shëndetshëm dhe i nevojshëm, por duhet të mbështetemi te faktet, ligjet dhe shkenca. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, u vendos që duhet t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të ndikimit në mjedis, pra është aktivizuar niveli më i lartë i legjislacionit. Projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar ka vendosur që vendimmarrja mjedisore të vendoset mbi evidencën shkencore”, tha Jaupaj, duke përmendur se ligji shqiptar nuk vendos ndalime, por kushte sesi duhet të realizohen.
Zhupa ndërkohë i drejtoi disa pyetje ministrit, për të cilat nuk mori përgjigje.
“A jeni ju ai që i jeni përgjigjur Komisionit Europian se e keni pezulluar projektin dhe a kishte një projekt? Sepse jeni i njëjti individ që keni thënë se nuk ka projekt. Ka dokumente që tregojnë se 4 leje janë dhënë për atë projekt. Sqaroni, a ka leje zhvillimi, a ka leje ndërtimi, a ka projekt apo nuk ka? Si është dhënë miratimi apo dakordësia për leje zhvillimi pa vlerësim të ndikimit në mjedis?
Nëse e keni pezulluar, me çfarë akti ligjor e keni pezulluar? Cilën leje keni pezulluar? Kush e ka nxjerrë aktin, në cilën datë dhe a është komunikuar me subjektin zhvillues? Keni ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimeve të tilla dhe për të mos pasur më ndalesa për të zhvilluar ku të doni dhe çfarë të doni. Na thoni: a jeni dakord që duhet të shfuqizohet ligji i zonave të mbrojtura? Na thoni: ka më shumë rëndësi të mbrohet zona e mbrojtur apo të shkatërrohet?”, tha Zhupa.
Pasi nuk mori përgjigje për pyetjet e bëra, Zhupa e cilësoi ministrin si “struci i Nartës” si dhe e këshilloi të që japë dorëheqjen.
“E di që je ministër i Mjedisit? U solle gjithë kohën si struci i Nartës, ministri i Mjedisit nuk thotë asnjë fjalë për pyetjet që i bëhen e zonat e mbrojtura. Ca ligje të bëra me porosi, ca ministra që as pyetjeve më minimaliste s’u kthejnë dot përgjigje. Nëse keni pak dinjitet, në fund të kësaj interpelance, jepni dorëheqjen dhe vazhdoni të shijoni jetën”, tha Zhupa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje