Treg

Hetim ndaj Ryanair: A po paguajnë padrejtësisht prindërit për t’u ulur bashkë me fëmijët?

Nga Gazeta ‘Si’- Ryanair, kompania më e madhe ajrore në Europë, po hetohet nga autoriteti britanik i konkurrencës për tarifat që u vendos familjeve me fëmijë të vegjël për t’u ulur bashkë në avion.

Sipas Autoritetit për Konkurrencën dhe Tregjet (CMA), pagesa për zgjedhjen e një vendi specifik në fluturimet e Ryanair është opsionale, përveç rasteve kur udhëtohet me një fëmijë nga 2 deri në 11 vjeç, i cili duhet të shoqërohet nga të paktën një prind.

Për të garantuar që prindërit të ulen pranë fëmijëve të tyre, ata duhet të paguajnë për një vend të quajtur “mandatory family seat” (vend i detyrueshëm familjar), i cili aplikohet si për fluturimin e nisjes ashtu edhe për kthimin dhe kushton zakonisht rreth 8 paund (11 dollarë) për çdo fluturim.

Ryanair e quajti hetimin “të pabazë” dhe deklaroi se politika e saj për ulëset “është plotësisht në përputhje me të gjitha ligjet përkatëse”.

Në një deklaratë për shtyp, CMA tha se kjo praktikë përdoret në shumicën e linjave të Ryanair.

Hetimi synon të përcaktojë nëse kjo praktikë është e padrejtë sipas ligjit për mbrojtjen e konsumatorit.

Në një email dërguar CNN-it, një zëdhënës i Ryanair e përshkroi veprimin si një “hetim të rremë” dhe deklaroi se politika e kompanisë respekton plotësisht ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ai shtoi se Ryanair nuk u ngarkon fëmijëve asnjë tarifë për t’u ulur pranë prindërve ose të rriturve që i shoqërojnë.

Sipas kompanisë, të rriturit që udhëtojnë me fëmijë paguajnë vetëm një tarifë për rezervimin e vendit të tyre, ndërsa mund të zgjedhin falas vende pranë tyre për deri në katër fëmijë në të njëjtin rezervim.

CMA sqaroi se hetimi sapo ka filluar dhe ende nuk është arritur në ndonjë përfundim nëse Ryanair ka shkelur ligjin. Autoriteti pret të publikojë rezultatet brenda gjashtë muajve. Ky hetim është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të zbutur ndikimin e rritjes së kostos së jetesës në Britani.

Hayley Fletcher, drejtoreshë e lartë për mbrojtjen e konsumatorit në CMA, tha se shumë familje kursejnë gjatë për të përballuar pushimet verore dhe se tarifat shtesë mund ta rrisin ndjeshëm koston totale të udhëtimit.

Ajo shtoi se hetimi do të shqyrtojë mënyrën se si Ryanair i paraqet kostot e rezervimit të vendeve familjare dhe nëse kjo është në përputhje me ligjin e konsumatorit.

Nëse kompania shpallet fajtore për shkelje të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, CMA do të ketë të drejtën ta gjobisë deri në 10% të xhiros së saj globale.

Kjo nuk është hera e parë që Ryanair përballet me kritika për politikën e saj të ulëseve familjare. Në vitin 2024, kompania humbi një apel kundër një ndalimi që u pengon linjave ajrore të tarifojnë shtesë pasagjerët për t’u ulur pranë fëmijëve nën 12 vjeç ose personave me aftësi të kufizuara./ CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë