Ka ndodhur

Një kg heroinë në gomën e furgonit nga Maqedonia drejt Shqipërisë, 2 të arrestuar

Gazeta Si – Një kg heroinë e fshehur brenda gomës së pasme të një furgoni, është zbuluar nga policia në aksin Bulqizë-Librazhd, duke çuar në arrestimin e dy personave që dyshohet se po e transportonin për ta shitur në Shqipëri.

Sipas policisë, droga ishte siguruar në Maqedoninë e Veriut dhe më pas ishte futur ilegalisht në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër. Ajo do të dorëzohej te bashkëpunëtor në Shqipëri, me qëllim shpërndarjen në treg.

Zbulimi u bë pas disa javësh hetime të kryera nga strukturat e antidrogës në Elbasan, të cilat kishin siguruar informacione për lëvizjen e një sasie heroine nga vendi fqinj drejt Shqipërisë.

Në momentin që furgoni u ndal për kontroll, efektivët kryen një kontroll të imtësishëm të automjetit. Heroina u gjet e fshehur në një çantë shpine të vendosur në gomën e pasme të mjetit, një mënyrë e përdorur shpesh për të shmangur kontrollet rutinë

Në pranga ranë, 32-vjeçari Liridon Gega nga Struga, i dyshuar si personi që kishte siguruar dhe futur drogën në Shqipëri, si dhe 45-vjeçarI Alban Biçaku nga Durrësi, i cili dyshohet se e kishte pritur ngarkesën për ta hedhur në treg.

Gjatë operacionit u sekuestruan 1 kilogram heroinë, furgoni që përdorej për transportin e saj, dy telefona celularë dhe një shumë parash në lekë, euro dhe denarë.

Dy të arrestuarit do të hetohen për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse pas tyre fshihet një rrjet më i gjerë i trafikut të drogës mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë