Para

Emigrantët sollën 274 milionë euro në tremujorin e parë

Nga Gazeta ‘Si’- Emigrantët shqiptarë kanë sjellë në atdhe 274 milionë euro gjatë tremujorit të parë të vitit, ose 9.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë raporton se remitancat vijuan trendin rritës, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ekonominë e vendit gjatë muajve janar-mars.

Pas një ngadalësimi në periudhën e pandemisë, dërgesat nga jashtë kanë ardhur në rritje, si efekt edhe i emigracionit në rritje të shqiptarëve.

Eurostat e llogarit Shqipërinë si një ndër ekonomitë më të varura nga remitancat, që përbëjnë rreth 10% të PBB-së së vendit.  Vlerësohet se burimi kryesor i remitancave për Shqipërinë janë vendet e Bashkimit Europian. 

Si një vend i lidhur ngushtë me remitancat, anëtarësimi në SEPA, vlerësohet se do t’i ‘kursejë’ shqiptarëve 70 mln euro vitin e parë, nga ulja e tarifave për transferta. Banka e Shqipërisë shpjegon se për një transfertë prej 5 mijë eurosh, kostoja ka zbritur nga 0.76% në vitin 2024 në vetëm 0.08% në 2025. Praktikisht është rreth 10 herë më lirë, ose afro 90% ulje.

Edhe për transfertat më të mëdha ndryshimi është edhe më i madh. Për 20 mijë euro, tarifa ka rënë nga 0.47% në 0.02%, rreth 23 herë më pak, ose mbi 95% ulje.

 Ndërkohë, pak muaj më parë, një studim i Qendrës ALTAX, gjeti  se dëmi që ka shkaktuar emigrimi masiv i shqiptarëve, nuk amortizohet dot nga dërgesat e parave që ato sjellin në atdhe. Remitancat kanë një ndikim në konsum 7-8% të PBB-së me një ndikim kryesor në ekonomitë e vogla, por pa një peshë ndikuese në rritjen ekonomike formale. Te ndikimi në treguesit ekonomikë të vendit, shihet se emigracioni ka pakësuar me të paktën 12-15% ofertën e punës në treg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë