Politike

Zvërneci, Rama: Nuk mund t’i mbyllim rrugët kapitaleve të mëdha…

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale një lajm të medias greke ku njoftohet se marka të mëdha ndërkombëtare të hotelerisë po investojnë në Mykonos.

Duke e lidhur me protestat që ka nxitur investimi prej 4 miliardë eurosh i planifikuar në Zvërnes, Rama thotë në reagim se “Greqia vazhdon ‘të shitet tek të huajt’ me sukses, kurse ne na i kanë futur xixat nga të katër anët që të zihemi mesveti edhe për 1+1 që bëjnë 2, e të vijmë vërdallë në udhëkryq kur konkurrenca  vazhdon vrapin për më shumë investime të huaja…”

Rama vuri në dukje se nuk mund që vendi të mbyllë dyert për investime tashmë që këto investime të mëdha po vijnë.

“Po si mund t’i mbyllim ne rrugët për kapitalet e mëdha, tani që ato po nisin të vijnë në Shqipëri pas tërë mundit të madh që kemi bërë për të ardhur në këtë pikë?!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

“Po tërë bota e zhvillon turizmin dhe ekonominë duke u  matur me sa investime të huaja tërheq, ndërsa ne do të matemi me sa rezistojmë kundër tyre?!”, vijoi ai.

“Kjo është një ftesë për vetëprapakthim kolektiv që Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe nuk ka për ta pranuar”, përfundoi Kryeministri duke sjellë edhe përmbajtjen e artikullit.

Përmbajtja e artikullit:

Marka të mëdha ndërkombëtare të hotelerisë po investojnë në Mykonos, ku hotele të reja me pesë yje nga Four Seasons, Fouquet’s dhe MGallery janë planifikuar të hapen së shpejti.

Pavarësisht tensioneve gjeopolitike dhe një sezoni sfidues për turizmin, Mykonos vazhdon të mbetet një nga destinacionet premium më të rëndësishme në Mesdhe.

Kompanitë ajrore po rrisin numrin e vendeve të disponueshme në fluturimet ndërkombëtare për sezonin 2026, me një rritje prej 7.1% të kapacitetit hyrës.

Po shtohen gjithashtu linja të reja ajrore nga Roma, Londra, Abu Dhabi dhe Dubai, duke forcuar më tej lidhjet ndërkombëtare të Mykonosit.

Një resort i ri me pesë yje, me vlerë mbi 100 milionë euro dhe i lidhur me investitorin egjiptian Naguib Saëiris, pritet të hapë dyert në maj të vitit 2027.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë