Nga Gazeta ‘Si’- Një grup shtetesh anëtare të Bashkimit Europian (BE) kanë propozuar që anëtarët e ardhshëm të bllokut, gjatë një periudhe kalimtare pas pranimit në bllok, të kenë të drejta të kufizuara.
Në mesin e kufizimeve kyç është propozimi që anëtarët e rinj të kenë të drejtë të kufizuar vote.
“BE-ja duhet të zhvillojë një diskutim të detajuar mbi mundësinë e kufizimeve të përkohshme, kalimtare të së drejtës së votës për shtetet e reja anëtare, veçanërisht në fushat e acquis-së së BE-së ku kërkohet unanimitet (për shembull zgjerimi, politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, korniza shumëvjeçare financiare), duke marrë parasysh ndjeshmërinë juridike dhe politike”, thuhet në të ashtuquajturin non-paper të nënshkruar nga Gjermania, Franca dhe shtetet e Beneluksit (Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu).
Për momentin, i vetmi shtet me gjasa reale për anëtarësim të ardhshëm në BE është Mali i Zi, pasi Bashkimi Europian ka marrë vendim për formimin e një grupi ad hoc që do të punojë në hartimin e draft-marrëveshjes së anëtarësimit.
Kjo është hera e parë pas 17 vjetësh që BE-ja nis punën për tekstin e një marrëveshjeje anëtarësimi, pas vitit 2009, kur i njëjti proces filloi për Kroacinë.
Kroacia është anëtare me të drejta të plota e BE-së që nga viti 2013, gjë që përbën periudhën më të gjatë në historinë e bllokut evropian pa zgjerim, përkatësisht pranim të anëtarëve të rinj.
Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit. Vetëm Kosova është më prapa, pasi është i vetmi shtet që nuk ka ende statusin e vendit kandidat, ndërkaq aplikimi për anëtarësim që Prishtina e ka dorëzuar në dhjetorin e vitit 2022, Brukseli ende nuk e ka trajtuar.
Në dokumentin e nënshkruar nga Gjermania, Franca dhe shtetet e Beneluksit theksohet se situata gjeopolitike ka ndryshuar ndjeshëm që nga hyrja e Kroacisë në BE dhe se, siç thuhet, zgjerimi nuk shihet më vetëm si një proces teknik i bazuar në merita, por si një investim strategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Europës.
Autorët e dokumentit konsiderojnë se nevojitet një model i përgjithshëm për marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit dhe një katalog opsionesh që mund të përshtatet me veçoritë e secilit shtet kandidat.
Aty propozohet po ashtu hartimi i një kornize standarde për marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit, me mundësinë e përshtatjes për kandidatët individualë dhe sfidat që anëtarësimi i tyre mund t’i sjellë BE-së.
Këto pesë shtete anëtare të BE-së propozojnë forcimin dhe zgjatjen e vlefshmërisë së klauzolave mbrojtëse, të cilat do të zbatoheshin për çështje që lidhen me sigurinë e brendshme të BE-së, sigurinë ekonomike dhe qëndrueshmërinë ndaj ndërhyrjeve të huaja.
Vëmendje e veçantë në forcimin e sundimit të ligjit
Sipas dokumentit, sundimi i ligjit është fusha më e rëndësishme në të cilën do të zbatoheshin klauzolat mbrojtëse. Pesë shtetet anëtare të BE-së propozojnë të ashtuquajturën klauzolë për parandalimin e prapakthimit në raport me vlerat evropiane dhe sundimin e ligjit. Shkelja e këtij obligimi, siç thuhet në dokument, mund të aktivizojë automatikisht sanksione financiare, procedura për shkeljes ose mekanizma të rinj mbrojtës.
Po ashtu, propozohet që institucionet e BE-së të kenë mundësinë të reagojnë ndaj cenimit serioz të sundimit të ligjit, parimeve demokratike dhe lirisë së mediave.
Ndër të tjera, propozohet që masat e mundshme të përfshijnë edhe pezullimin e formave të caktuara të bashkëpunimit me shtetin e ri anëtar që bën këto shkelje.
Po ashtu, konsiderohet se pjesëmarrja në Zyrën e Prokurorit Publik Europian duhet të jetë një parakusht politik për anëtarësimin e shteteve të reja. Kjo shihet si një instrument i rëndësishëm për mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e keqpërdorimit të fondeve evropiane.
Parandalimi i bllokadave të mundshme dhe mungesës së bashkëpunimit
Në dokument propozohet futja e një klauzole të veçantë që do t’u kujtonte anëtarëve të rinj detyrimin për bashkëpunim besnik me Bashkimin Europian.
“Sjellja që minon unitetin, besimin e ndërsjellë dhe procesin e vendimmarrjes në BE i shkakton dëm serioz gjithë bllokut evropianë”, vlerësojnë autorët e dokumentit.
Për këtë arsye, ata konsiderojnë se marrëveshjet e anëtarësimit duhet të përmbajnë mekanizma për reagim ndaj një sjelljeje të tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje