BYD po planifikon të investojë pothuajse 2 miliardë euro për zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme në Europë, me qëllim që teknologjia e saj e karikimit ultra të shpejtë, e njohur si “flash-charging”, të bëhet e disponueshme për të gjitha modelet kryesore të kompanisë gjatë viteve të ardhshme.
Prodhuesi më i madh në botë i automjeteve elektrike po mbështetet te kjo teknologji për të fituar terren ndaj rivalëve tradicionalë, por zgjerimi i saj do të varet nga shpejtësia me të cilën kompania do të arrijë të ndërtojë rrjetin e stacioneve të karikimit në kontinent.
“Janë shumë para, pasi çdo stacion kushton pothuajse gjysmë milioni paund. Fillimisht duhet të ndërtojmë një rrjet shumë të fortë infrastrukturor”, deklaroi Stella Li, drejtuesja kryesore e operacioneve ndërkombëtare të grupit kinez, gjatë inaugurimit të stacionit të parë të karikimit ultra të shpejtë të BYD në Mbretërinë e Bashkuar. Çdo stacion pritet të kushtojë rreth 580 mijë euro.
Kompania synon të instalojë 20 mijë karikues “flash” në Kinë deri në fund të këtij viti, si dhe 3 mijë të tillë në Europë deri në vitin 2027, prej të cilëve 600 në Mbretërinë e Bashkuar.
Automjetet e BYD duhet të pajisen me gjeneratën më të fundit të baterive të kompanisë për të përfituar plotësisht nga kjo teknologji karikimi.
Modeli i ri Z9GT, pjesë e markës premium Denza, me çmime që nisin nga 115 mijë euro, mund të karikohet deri në 70% për vetëm pesë minuta dhe pothuajse plotësisht për 12 minuta, edhe në temperatura deri në minus 30 gradë Celsius.
Modelet e ardhshme të Denza-s që do të hidhen në tregun europian do të kenë aftësinë e karikimit ultra të shpejtë, ndërsa Stella Li ka deklaruar se synimi i kompanisë është që kjo teknologji të zgjerohet gradualisht edhe tek modelet më të përballueshme në Britani dhe në tregjet e tjera europiane.
“Sfida nuk është instalimi i tyre. Sfida e vërtetë është sa shpejt autoritetet lokale do të japin lejet e nevojshme. Ne mund ta realizojmë zgjerimin shumë shpejt”, tha Bono Ge, drejtuesi i BYD në Mbretërinë e Bashkuar.
Lëvizja e BYD kujton strategjinë e Tesla-s, e cila investoi masivisht në rrjetin e saj të karikuesve të shpejtë Supercharger, duke ndihmuar në rritjen e shpejtë të shitjeve të automjeteve elektrike. Karikuesit e Tesla-s mund t’u ofrojnë automjeteve deri në 321 kilometra autonomi për 15 minuta karikim.
Sipas Stella Li, karikimi ultra i shpejtë do të eliminojë “pengesën e fundit” që i mban konsumatorët larg automjeteve elektrike. Megjithatë, drejtues të tjerë të industrisë mbeten skeptikë për sa shpejt BYD do të mund të ndërtojë infrastrukturën e nevojshme për ta bërë këtë teknologji të aksesueshme për përdoruesit masivë.
BYD pretendon se stacionet e saj të karikimit nuk do të ushtrojnë presion shtesë mbi rrjetin ekzistues të energjisë elektrike, pasi ato furnizohen nga sisteme baterish të vendosura pranë stacioneve, të cilat mund të karikohen gjatë natës me kosto më të ulët.
“Do të investojmë më shumë në ruajtjen e energjisë përmes baterive. Kjo do të thotë se, kudo që të shkojmë, nuk do të shtojmë barrën mbi rrjetin energjetik”, tha Li.
Sipas të dhënave të Shoqatës Europiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), pjesa e tregut të BYD në Bashkimin Europian është rritur nga 0.8% në 1.9% gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, ndërsa kompania ka zgjeruar në mënyrë agresive gamën e modeleve të saj. Rritja ka qenë edhe më e shpejtë në Mbretërinë e Bashkuar, ku BYD zotëron tashmë 3.4% të tregut, duke lënë pas marka si Renault dhe Volvo.
Kompania ka prezantuar gjithashtu modelin hibrid plug-in Dolphin G, automjetin e parë të projektuar posaçërisht për tregun europian dhe që nuk shitet në Kinë.
Duke iu referuar modeleve aktuale dhe atyre që do të prezantohen në të ardhmen, Stella Li u shpreh: “Kjo është bukuria e BYD. Ju garantoj se askush tjetër nuk ka një makinë që mund të kërcejë dhe të vallëzojë, dhe askush nuk ka një makinë që mund të notojë në ujë.”/FinancialTimes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje