Nga Gazeta ‘Si’- Shkalla e punësimit në Shqipëri ka shënuar rënie në tremujorin e parë të vitit 2026, duke zbritur në 58%, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, treguesi është ulur me 0.3 pikë përqindje, ndërsa në raport me tremujorin e fundit të vitit 2025 rënia arrin në 0.5 pikë përqindje.
Paralelisht, INSTAT raporton një ulje të shkallës së papunësisë në nivelin 8.4%. Rënia e njëkohshme e punësimit dhe e papunësisë sugjeron se një pjesë e popullsisë në moshë aktive mund të jetë tërhequr nga tregu i punës, duke mos u llogaritur më si e papunë. Ky zhvillim lidhet shpesh me faktorë si emigracioni, plakja e popullsisë apo dekurajimi i personave në kërkim të punës.

Të dhëna të tjera tregojnë se bujqësia, që mbetet një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, ka regjistruar një rënie vjetore prej 6.7% të numrit të të punësuarve, ndërsa industria ka humbur 4.1% të vendeve të punës krahasuar me një vit më parë.
Edhe sektori i shërbimeve, pavarësisht një rritjeje të lehtë prej 1% në raport me tremujorin e mëparshëm, rezulton me një rënie prej 1.7% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2025.
Sipas INSTAT, në vend rezultojnë të punësuar rreth 1.15 milionë persona, por shifrat sugjerojnë se ritmi i krijimit të vendeve të reja të punës është ngadalësuar, ndërsa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë po përballen me humbje të vazhdueshme të fuqisë punëtore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje