Politike

Rama për Reuters: Shqipëria do vazhdojë ndërtimin e resortit luksoz pavarësisht protestave

Nga Gazeta Si- Shqipëria do të vijojë me projektin për një resort luksoz të planifikuar nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump, në një zonë të izoluar të bregdetit shqiptar, pavarësisht protestave të vazhdueshme për ndikimin e tij në mjedis, deklaroi të hënën për Reuters kryeministri Edi Rama.

Reuters shkruan se mijëra persona kanë dalë në protestë, duke kërkuar anulimin e projektit për shkak të ndikimit që ai mund të ketë mbi një ligatinë të mbrojtur, e cila është habitat për flamingot, fokat dhe zonat e folezimit të breshkave të detit.

Flamingoja është shndërruar në simbolin e lëvizjes kundër projektit. Protestuesit mbajnë flamingo rozë të fryra dhe pankarta me mbishkrimin “Revolucioni i Flamingove”.

Megjithatë, Rama nuk duket i lëkundur nga kundërshtimet. Në një intervistë për Reuters, ai deklaroi se zhvilluesit e projektit do t’i “mahnitin” njerëzit me planet e tyre në muajt e ardhshëm dhe se pjesë të resortit mund të hapen për publikun para fundit të kësaj dekade.

“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta realizojmë atë. Do të jemi krenarë që do të japim kontributin tonë për Europën,” tha Rama gjatë intervistës në zyrën e tij, vetëm pak metra larg vendit ku janë zhvilluar demonstratat e përnatshme kundër projektit.

“Unë jam votuar për t’i bërë këto gjëra realitet. Nuk jam votuar që të udhëhiqem nga njerëz që kanë një ide tjetër për mënyrën se si duhet të zhvillohet vendi,” u shpreh kryeministri.

Mijëra persona dolën në rrugët e Tiranës të hënën në mbrëmje, duke kërkuar ndalimin e projektit, por edhe duke shprehur një sërë pakënaqësish ndaj 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, për të cilat thonë se nuk kanë arritur të çrrënjosin korrupsionin apo të përmirësojnë shërbimet bazë.

“Po bëhemi gjithnjë e më shumë dhe do të jemi këtu derisa ai të japë dorëheqjen. Jo vetëm për biodiversitetin, por për çdo padrejtësi me të cilën përballemi,” tha studenti Albano Lushi për Reuters.

Ëndrra të mëdha përballë polemikave

Rama, 61 vjeç, ish-basketbollist dhe artist, i cili mori detyrën në vitin 2013 dhe synon ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, shkruan Reuters, krenohet me rolin e tij në modernizimin e vendit, i cili për dekada me radhë kishte mbetur pas nën një nga diktaturat komuniste më shtypëse të Europës, deri në vitet 1990.

Resorti që Rama mbështet është ide e Jared Kushner dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump, të cilët kanë treguar se u dashuruan me Shqipërinë disa vite më parë gjatë një udhëtimi me jaht përgjatë bregdetit shqiptar. Rama i takoi ata gjatë asaj vizite dhe i përshkroi si “njerëz shumë të sjellshëm, modestë… dhe të mirë nga ana njerëzore”.

Tashmë, firma e investimeve e Kushnerit, Affinity Partners, është e përfshirë në projektin prej 1.4 miliardë eurosh pranë zonës së mbrojtur të Vjosa-Narta, si edhe në një projekt tjetër në Ishulli i Sazanit.

Sipas Ramës, të dy projektet së bashku kanë një vlerë që mund të arrijë deri në 5 miliardë euro.

“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë janë përballur me polemika,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Affinity Partners dhe Jared Kushner nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për koment. Ndërsa kompania Sazan Real Estate Development LLC, e cila po harton planet e zhvillimit, i ka deklaruar Reuters se projekti do të realizohet në mënyrë të përgjegjshme.

Rama premton mbrojtjen e faunës së egër

Protestat nisën në fund të muajit maj, kur zona pranë Vjosa-Nartës u rrethua me tela me gjemba për shkak të punimeve për ndërtimin e një rruge hyrëse dhe zhvillimeve të tjera paraprake para nisjes së ndërtimit.

Gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe rojeve private të sigurisë, disa protestues mbetën të lënduar. Më pas, zemërimi dhe kundërshtimet ndaj projektit u përhapën edhe në Tiranë.

Që prej asaj kohe, rrethimi me tela me gjemba është hequr. Rama pranoi se vendosja e tij ishte një “ide e turpshme”.

Megjithatë, kryeministri minimizoi shqetësimet për ndikimin mjedisor të projektit. Ai tha se vlerësimi i ndikimit në mjedis ende nuk është përfunduar dhe se ai do të kryhet paralelisht me zhvillimin e projektit.

“Ne jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për mbrojtjen e jetës së egër në Shqipëri. Komisioni Europian nuk ka asnjë arsye të dyshojë në vendosmërinë tonë për të mbrojtur gjithçka që duhet të mbrohet kur bëhet fjalë për faunën dhe natyrën,” deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë