Ngjarje

Dita e 9-të e protestës, qytetarët marshim në rrugët e Tiranës! Reuters e transmeton live

Nga Gazeta Si- Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe sot në ditën e 9-të të protestës paqësore në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen pas skandalit me projektin e Zvërnecit.

Në këtë protestë është shpalosur dhe një pankartë “akoma nuk i ke larë hesapet me studentët”.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka transmetuar live protestën.

Në raportimet e saj, Reuters thekson se mijëra qytetarë, aktivistë të mjedisit dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë dalë në rrugët e kryeqytetit për të kundërshtuar projektin miliarda eurosh të lidhur me investitorë të huaj, duke ngritur shqetësime për ndikimin që ai mund të ketë mbi ekosistemin e zonës së mbrojtur.

Mijëra qytetarë prej disa ditësh kanë mbushur sheshin, rrugët e kryeqytetit, me thirrjet e tyre  “Edi Rama dorëhiqu”, “Shqipëri  e Re”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Atdheu nuk shitet”, “Dorëheqje” dhe “Revolucion”.

Me flamuj kuq e zi, pankarta në duar, disa prej tyre me plis në kokë, janë grumbulluar në shesh për ta vazhduar tubimin e tyre duke marshuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur para Kryeministrisë dhe më pas kanë marshuar nëpër rrugët e Tiranës.

Paralelisht protesta u mbajtën dhe në Durrës, Shkodër, Korçë dhe Vlorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë