Politike

Aeroporti i Vlorës, MABCO çon gjyqtaren në SPAK dhe nis arbitrazhin

Nga Gazeta Si- Kompania MABCO Constructions SA ka kallëzuar në SPAK gjyqtaren Miranda Naka, duke e akuzuar se ka bllokuar zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë që i rikthente ortakut mazhoritar të drejtat e votës në shoqërinë VIA, koncesionare e Aeroportit të Vlorës.

Sipas MABCO-s, gjyqtarja ka marrë një vendim pa praninë e palëve, vetëm një ditë para mbledhjes së ortakëve që synonte zëvendësimin e administratorit të emëruar nga ortaku me 2% të kuotave.

Në të njëjtën kohë, kompania njofton se ka nisur procedurat për arbitrazh ndërkombëtar ndaj shtetit shqiptar, duke argumentuar se institucionet kanë dështuar të garantojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe zhbllokimin e kantierit të Aeroportit të Vlorës.

Për situatën, MABCO thotë se ka informuar Presidentin e Republikës, drejtuesit e partive politike, grupet parlamentare dhe trupin diplomatik, ndërsa paralajmëron se do të kundërshtojë çdo veprim kontraktual të kryer pa miratimin e saj si zotëruese e 98% të kuotave të VIA-s.

“MABCO informon çdo subjekt apo individ që synon të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Aeroportin e Vlorës se MABCO është ortaku kryesor i shoqërisë VIA, me 98% të kuotave. Për rrjedhojë, çdo bashkëpunim, marrëveshje apo marrëdhënie kontraktuale që lidhet me VIA-n duhet të ketë miratimin paraprak të MABCO-s”, shkruhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë