Gazeta Si – Në seancën e radhës së dosjes “Partizani”, dëshmitarja Violeta Shqevi tha në GJKKO se luftoi që të mos ndryshonte destinacioni i ambienteve, por varianti përfundimtar i ligjit, e miratoi.
Ndërkohë, ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Genc Ruli, pritet të japë përgjigje se pse u desh nisja me urgjencë e procedurave të privatizimit të qendrës më të madhe sportive të kryeqytetit.
Në dëshminë e saj, Shqevi, e punësuar si Drejtoreshë në Ministrinë e Kulturës dhe Sporteve, sqaroi se klubi shumësportësh “Partizani” administrohej nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa futbolli trajtohej veçmas.
Ajo shpjegoi se institucioni ku punonte menaxhonte klubin shumësportësh, me përjashtim të ekipit të futbollit. Ajo deklaroi se ka pasur gjithashtu rolin e koordinatores së Strategjisë së Sportit 2008-2020.

Shqevi u ndal edhe te asetet e klubit, duke deklaruar se “Partizani” dispononte disa objekte, përfshirë një godinë dykatëshe dhe ndërtesa të tjera. Megjithatë, sipas saj, pronat nuk ishin të regjistruara dhe kishte paqartësi lidhur me pronësinë e tyre.
“Kur u shfaqën shqetësime për disa banorë që kishin zaptuar prona, nuk kemi pasur asnjëherë informacion të qartë për pronarët. Drejtoria që drejtoja u kërkoi drejtuesve të merrnin masa për regjistrimin e tyre”, deklaroi dëshmitarja.
Ajo foli edhe për ndryshimet ligjore të vitit 2007 në ligjin për sportin, duke theksuar se ato u konsideruan si një zhvillim pozitiv për sektorin.
“Në lidhje me ndryshimet ligjore të ligjit për sportin në vitin 2007, shihej si një qasje pozitive. U pa e rëndësishme që të përfshiheshin edhe të tretët dhe të krijohej mundësia që asetet të jepeshin me koncesion”, u shpreh Shqevi gjatë dëshmisë së saj.
Edhe Genc Ruli është thirrur për të dëshmuar në procesin gjyqësor të dosjen “Partizani” për të cilën mes të pandehurve të SPAK është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Po ashtu, GJKKO ka thirrur disa dëshmitarë për këtë proces gjyqësor, mes tyre edhe kryeministrin Edi Rama, i cili pritet të dëshmojë në një ditë tjetër pasi asokohe ka qenë kryebashkiak i Tiranës.
Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së të pandehurit Fatmir Bektashi dhe të avokatit të tij, Sokol Hazizaj.
Kjo dështoi edhe marrjen e dëshmisë së ish-ministrit i Kulturës dhe Sporteve, Ylli Pango dhe Violeta Shqevit, të cilët ishin prezentë në sallë.
Dëshmitare tjerër që pritet të dëshmojë sot në gjyqin “Partizani”, është Tetis Lubonja, përgjegjëse në sektorin juridik te Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave, që ka deklaruar në SPAK njohjen e vjetër me Jamarbër Malltezin.
Ajo së bashku me dëshmitarin tjetër të thirrur për më 8 qershor, Altin Ceni, specialist në AKKP, ishin pjesë e grupit të punës që vlerësuan të ligjshëm kthimin e ish kompleksit “Partizani” Malltezit dhe ish pronarëve të tjerë.
I fundit i thirrur nga GJKKO më 8 qershor, por jo më pak i rëndësishmi, është Paro Laçi, ish drejtues i Partizanit, për të cilin në dosjen e SPAK thuhet se ka dëshmuar se i është ofruar një pazar nga njerëzit e Berishës për të liruar ambientet e klubit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje