Ka ndodhur

Zvërneci/ Qytetarët protestojnë në ditën e tetë 

Protesta kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit ka hyrë sot në ditën e tetë të saj, me mijëra qytetarë që po mblidhen drejt Kryeministrisë.

Me pankarta në duar ku lexohej “Rama në burg, Berisha në burg” dhe me sloganin “Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”, protestuesit u drejtuan drejt kryeministrisë.

Diten e djeshme, pas fjalimeve të mbajtura në podium përpara godinës së Kryeministrisë, mijëra protestues u nisen në mënyrë të organizuar drejt qendrës së Tiranës dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar lëvizjen me bllokime të përkohshme të qarkullimit në disa akse kryesore të qytetit.

Turma vijoi marshimin me dritat e telefonave të ndezura dhe nën tingujt e këngës “Dua më shumë Shqipërinë”, ndërsa pjesëmarrësit janë drejtuar drejt zonës së Kryeministrisë, e cila mbetet edhe pika kryesore e tubimit.

Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje me karakter të fortë politik si “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Poshtë diktatura”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Jep dorëheqjen”, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim.

Sipas pjesëmarrësve, protesta po rritet çdo ditë. Një qytetare nga Shkodra e pranishme në tubim u shpreh se numri i protestuesve është në rritje të vazhdueshme, ndërsa një i ri nga Kosova u bashkua me thirrje për vijimin e rezistencës dhe solidaritetit mes qytetarëve.

Lëvizja qytetare kundër projektit në Zvërnec ka përfshirë edhe tubime të ngjashme në qytete të tjera dhe është shtrirë gjithashtu në diasporë, ku shqiptarë në Milano dhe Firence janë mbledhur në shenjë mbështetjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë