Politike

Rama: Protesta nuk ka kaluar kurrë 8 mijë njerëz, po krijohet hendek mes realitetit dhe perceptimit

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi përmes një postimi në rrjetin social X lidhur me protestat e ditëve të fundit dhe jehonën që ato kanë marrë në mediat ndërkombëtare, duke veçuar CNN.

Sipas Ramës, protesta e zhvilluar sot ka mbledhur rreth 2 mijë pjesëmarrës, ndërsa numri më i lartë i protestuesve në ditët e mëparshme nuk ka kaluar 8 mijë persona dhe sipas tij ka marrë përmasa shumë më të mëdha në perceptimin publik sesa në realitet.

Kryeministri argumentoi se aktualisht nuk ekziston ende një projekt i miratuar, nuk është lëshuar asnjë leje ndërtimi dhe nuk ka nisur asnjë punim. Sipas tij, ekziston vetëm një vizion dhe një plan për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik elitar, duke garantuar një zhvillim me ndikim pozitiv në mjedis.

Rama tha se koncepti parashikon rritje të sipërfaqeve të gjelbra dhe përmirësim të treguesve të biodiversitetit, ndërsa në proces sipas tij janë përfshirë ekspertë ndërkombëtarë të ekologjisë, biodiversitetit, arkitekturës së peizazhit, inxhinierisë mjedisore dhe turizmit të qëndrueshëm.

Ai theksoi se suksesi ose dështimi i këtyre planeve duhet të vlerësohet në të ardhmen përmes analizave shkencore, debatit publik dhe transparencës institucionale.

Në reagimin e tij, Rama kritikoi atë që e quajti “histeri digjitale”, duke pretenduar se janë shpërndarë imazhe të manipuluara, informacione të rreme dhe narrativa të pabazuara që e kanë paraqitur situatën si një katastrofë mjedisore ende pa ekzistuar një projekt përfundimtar.

Rama ngriti gjithashtu shqetësime për rritjen e menjëhershme të aktivitetit në rrjetet sociale në gjuhën shqipe, duke deklaruar se sipas tij një pjesë e konsiderueshme e këtij angazhimi duket se është nxitur nga profile të reja, llogari anonime dhe faqe pa histori të identifikueshme, çka sipas tij ngre dyshime për amplifikim artificial të debatit online.

Në përfundim, Rama bëri thirrje që, pasi të kalojnë tensionet e momentit, të analizohet më gjerësisht mënyra se si perceptimi publik mund të shkëputet nga faktet dhe realiteti në epokën e mediave sociale dhe informacionit digjital.

Ai shtoi se është legjitime të ketë mosmarrëveshje, kritika, pyetje dhe shqetësime mjedisore, por sipas tij nuk është legjitime zëvendësimi i fakteve me supozime apo i supozimeve me përfundime të gatshme.

Në përmbyllje, Rama u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë zhvillimin e saj drejt turizmit elitar dhe forcimit të demokracisë, por theksoi se kjo çështje duhet të shërbejë si paralajmërim më i gjerë për shoqëritë demokratike.

Ai tha se, ndërkohë që vendet investojnë për t’u mbrojtur nga kërcënimet fizike, ato duhet të mbrohen gjithashtu nga manipulimi informativ dhe polarizimi digjital, duke e përshkruar si një rrezik që vjen nga distanca shumë më e shkurtër sesa çdo armë tjetër moderne — nga ekrani i telefonit drejt mendjes njerëzore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë