Gazeta Si – Gjatë takimit në Vlorë të kryeministrit Edi Rama me banorët e Zvërnecit, këta të fundit pretendojnë se janë pronarë të tokës ku do të ndërtohet projekti turistik i financuar nga dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner.
Rama tha se kur është shprehur që prona është e kthyer dem baba dem, e ka pasur në kuptimin se është kthyer shumë vite më parë.
Duke i kthyer përgjigje një prej banorëve dhe pronarëve të tokës, Rama tha se Zvërneci është tokë private dhe se nuk është në dijeni të marrëveshjes që kanë bërë pronarët me investitorët. Por sipas tij, sot ligjërisht, ajo pronë është e investitorëve dhe shteti njeh këta si pronarë.
“Nuk është e vërtetë. Fjalët kanë peshë të madhe. Unë jam shumë i kujdesshëm me fjalët. Unë kam thënë që prona është e kthyer dem baba dem. Është kthyer shumë vite më parë. Nuk është kthyer nga kjo qeveri, jo nga kjo periudhë e kësaj qeverie. A ka kthime të gabuara dhe të padrejta? Me siguri ka plot. Këtë nuk e vendos unë, as qeveria, as hipoteka, asnjë agjenci që merret me pronën. Nuk e vendosin noterët. Këtë e vendos vetëm gjykata”.
Rama më pas, vijoi: “Ndjesë nëse je ndjerë i lënduar, por s’më ke kuptuar si duhet. Unë nuk përfaqësoj pronarët. Për dijeninë tuaj, unë nuk kam takuar kurrë asnjë nga pronarët që përfliten. Nuk e kam idenë as çfarë marrëveshje kanë pronarët me investitorët, – shtoi kryeministri. – Kur është folur për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë që në atë kohë: ‘Sazani është një çështje e qeverisë shqiptare sa i përket marrëveshjes, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private, pronarësh privatë’. Pronarët privatë merren vesh privatisht. Shqipëria nëse shitet apo jo privatisht, këtë e vendosin pronarët, as qeveritë, as protestuesit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje