Politike

Vrasja e policit në Maliq, Rama dhe Lamallari: Ndëshkim maksimal autorit

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Lozhan të Maliqit, ku polici i forcave “Shqiponjave” Enea Mekolli, 34 vjeç, mbeti i vrarë gjatë një operacioni për arrestimin e Violand Braçellarit, i dënuar me 10 vite burg për “prodhim e shitje të narkotikëve”.

Në reagimin e tij, Rama e ka quajtur kurajoz operacionin për kapjen e të shumëkërkuarit që prej vitesh fshihej në një stan në male.

Ai shpreh nderimet për efektivin Enea Mekolli, të cilin e quan dëshmor të atdheut ndërsa kërkon ndëshkim maksimal për autorin.

Rama i uron shërim të shpejtë efektivit të plagosur Edison Adri 36 vjeç ndërsa kërkon dënimin maksimal për autorin.

“Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli! Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër. Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj“, – shkruan kryeministri.

Pas kreut të qeverisë, një tjetër reagim vjen nga ministri për Punët e Brendshme, Besfort Lamallari. Ai shkruan se sot një familje ka humbur njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit një koleg, ndërsa Shqipëria një shërbëtor të përkushtuar të ligjit.

Ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes Mekolli, ministri Lamallari e dënon me forcë ngjarjen, duke e cilësuar atë si një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të policisë, por edhe ndaj rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve dhe paralajmëron se autori i ngjarjes do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.

Një tjetër reagim vjen edhe nga presidenti i Republikës Bajram Begaj. Ai i shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerit, ndërsa i uron shërim të shpejtë të plagosurit. Begaj thekson se Policia e Shtetit nuk do të ndalet por do e luftojë krimin në çdo skutë.

Reagim pati edhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi. Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shpreh tronditjen për ngjarjen dhe dënon ngjarjen.

“I tronditur nga vrasja e një punonjësi të Policisë së Shtetit në krye të detyrës dhe plagosjes së kolegut të tij. Dënoj me forcë aktin dhe besoj plotësisht që autori do të marrë dënimin maksimal dhe të merituar. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të punonjësit të Policisë të rënë në krye të detyrës dhe uroj me zemër shërim sa më të shpejtë për kolegun e tij të plagosur”, shkruan Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë